Ndërlidhjet

“Nëpërkëmbet Kushtetuta”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Të gjitha gazetat e stome i kanë rezervuar një hapësirë të madhe njëvjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës.

E përditshmja “Zëri” shkruan se një vjet pas miratimit, Kushtetuta është jetësuar aq sa ka pasur vullnet prej instancave më të larta të vendit dhe aq sa kanë lejuar rrethanat e njohura vendore dhe ndërkombëtare.

Kushtetuta, rendi kushtetues dhe ligjor i shtetit të Kosovës nuk zbatohen në territorin e Kosovës, vë në pah “Zëri”. Gazeta nënvizon se njëvjetori i Kushtetutës së Kosovës është një ditë kur, para së gjithash, do të duhej të shquhej me planet dhe propozimet konkrete, që kjo Kushtetutë të respektohet prej të gjithë neve dhe të vlejë në mbarë territorin e Kosovës.

Duke mbetur te e njëjta temë, “Bota sot” thekson se përveç problemit të moszbatueshmërisë gjithandej Kosovës, Kushtetuta ngërthen edhe kontradikta, pasi shumë nga nenet janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Gazeta shkruan se derisa në mesin e opozitës ka zëra që duan ta amendamentojnë atë, partitë në pushtet mbesin të rezervuara për këtë çështje.

E përditshmja “Lajm” vlerëson se Kushtetuta është e nëpërkëmbur. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, mosshtrirja e autoriteteve në veri të vendit, dominimi i Qeverisë mbi Kuvendin dhe disa shkaqe të tjera, janë shkeljet që po i bëhen Kushtetutës me veprim ose mosveprim, shkruan gazeta.

Një temë krejt tjetër trajton “Koha Ditore” që ka të bëjë me sigurinë për praninë ndërkombëtare në Kosovë. Kjo gazetë shkruan se pjesëtarët e policisë së Kosovës dhe ata të misionit evropian për sundim të ligjit po merren me hetimin e kërcënimeve të fundit të drejtuara ndaj pranisë së EULEX-it, veçanërisht në veri.

Ka qenë UNMIK-u ai që, sipas mediave serbe, kishte alarmuar se serbët po përgatiteshin të sulmonin misionin evropian për sundim të ligjit.

“Koha Ditore” shkruan se edhe pse nuk ka dëshmi konkrete për këto përgatitje, zhvillimet e fundit në terren dhe alarmimi i UNMIK-ut kanë detyruar policinë kosovare dhe atë evropiane që t’i analizojnë me kujdes kërcënimet e mundshme.

“EULEX-i ka pranuar informata rreth synimeve të supozuara të serbëve për sulm ndaj anëtarëve të EULEX-it dhe aktualisht jemi duke shqyrtuar këtë çështje”, citon “Koha Ditore” zëdhënësen e EULEX-it, Karin Limdal.

Tutje, kjo gazetë shkruan se kërcënimet ndaj EULEX-it kishin filluar kah mesi i muajit mars, kur dyshohet se persona të panjohur kishin shtënë mbi një patrullë të misionit evropian.

Gjithnjë sipas “Kohës ditore”, në afërsi policia kishte gjetur pamfletin, me të cilin formacioni fantom “Armata e veriut” ia kishte tërhequr vërejtjen EULEX-it se çdo përpjekje për të vënë doganat në pikën 1 dhe 31, do të dënohej ashpër me humbje në njerëz dhe në teknikë.

E përdtishmja “Express”, në një nga shkrimet e saj, paralajëmron ardhjen e bendit të njohur kubanez në Kosovë, Pasion de Buena Vista.

Kjo gazetë bën të ditur se këtë bend e sjell në Kosovë ‘Ipko’, për të shnëuar kështu fillimin e dekadës së parë të kësaj kompanie të telefonisë mobile. Koncerti do të mbahet në Mitrovicë, më 14 prill. Mitrovica është zgjedhur meqë njihet si vendlindja e muzikës jazz në Kosovë, shkruan “Express”.

Thuhet se edhe disa media botërore kanë paralajmëruar ardhjen e tyre në Mitrovicë, kësaj radhe jo për të raportuar për ndonjë telashe tek ura, por për një ngjarje me karakter më të gjerë, ardhjen e latino-amerikanëve që, sipas “Express”, ndezën botën tash e sa vjet.
XS
SM
MD
LG