Ndërlidhjet

Serbia e Bosnja do t’i njohin vulat e Kosovës?


Autoritetet kosovare shprehen të bindura se Serbia dhe Bosnja, vende këto që kanë bllokuar produktet kosovare, do t’i njohin vulat e Republikës së Kosovës. Ekspertët ekonomikë thonë se njohja e vulave nga ta, do ishte sinjal për njohjen e Kosovës nga këto dy vende.


Ndonëse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, bllokimin për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës e kanë thënë prej dhjetorit 2008, kur ishte bllokuar nga këto dy vende eksporti i prodhimeve kosovare, një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Megjithatë, autoritetet kosovare ende shpresojnë për një zgjidhje tjetër, e cila, sipas tyre, do të arrihet së shpejti.

Duke e konsideruar si një problem serioz dhe goxha të vështirë për të gjetur një zgjidhje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se këto dy vende përfundimisht do t’i njohin vulat e Republikës së Kosovës dhe me këtë, sipas tij, do të fillojë eksportimi dhe transporti i mallrave kosovare nëpër këto dy vende.

“Jemi në rrugë pothuajse përfundimtare për ta zgjidhur këtë problem. Ne kemi bërë hapat konkretë që është dashur t’i bëjmë si Qeveri e Kosovës. Jam i bindur se brenda pak javësh, çështja do të jetë e zgjidhur me ndonjë vendim formal apo joformal me CEFTA-n”, tha ministri Shala.

Megjithatë, sipas një njoftimi zyrtar, në një takim të CEFTA-s, që është duke u mbajtur në Podgoricë, nga data 7 deri më 9 prill 2009, e ku po merrte pjesë edhe një delegacion i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe të Doganave, delegacioni nga Kosova ka lëshuar demonstrativisht këtë takim, për shkak se autoritetet e atjeshme nuk kanë pranuar që ta heqin mbishkrimin e UNMIK-ut dhe në vend të këtij mbishkrimi të vendoset emri i Kosovës.

Pas të gjitha këtyre mosmarrëveshjeve, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se nuk duhet bërë marrëveshje të veçanta me këto dy vende, pasi që Kosova është anëtare e barabartë e CEFTA-s dhe duhet vepruar po në atë mënyrë si kanë vepruar këto dy shtete me Kosovën.

Eksperti për çështje ekonomike, Musa Limani, shpjegon:

CEFTA, vendet anëtare
“Ekonomikisht duhet vepruar ashtu siç kanë vepruar edhe këto dy vende. Nëse ata kanë vendosur embargo, duhet t’ua kthejmë me embargo. Nëse ata nuk pranojnë vulat dhe kalimin e eksportit, përkatësisht transportit, nëpër territorin e këtyre vendeve, të njëjtën gjë duhet ta bëjmë edhe ne”.


Autoritetet kosovare kishin hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit kohë më parë, pasi që një vendim të tillë e kishin konsideruar si një veprim, i cili kurrë nuk ka sjellë lumturi tek popujt, por vetëm ngatërresa.

Muhamet Sadiku, nga Instituti Riinveset, mendon se pranimi i vulave të Republikës së Kosovës nga këto dy vende fqinje, do të ishte një sinjal shumë i mirë, sepse ka refleksione politike.

“Të fillojë nga njohja e vulave, pastaj në njohjen e pasaportave, dokumenteve të udhëtimit, dhe kjo do të ishte një përgatitje për njohjen e Kosovës vend i pavarur nga këto dy vende”,
thotë Sadiku.

Meqenëse Kosova ka shkëmbim tregtar të nivelit të konsiderueshëm me Serbinë, zoti Sadiku pohon se Kosova do të ishte dashur që me këtë vend fqinj të arrijë një marrëveshje ndërshtetërore tregtare për rregullimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me tregtinë.

“Rregullimi i raporteve tregtare në mes Serbisë dhe Kosovës do të kontribuonte në krijimin e një mjedisi miqësor tregtar rajonal”, pohon Sadiku.

Ndryshe, Kosova, ashtu si edhe Serbia e Bosnja, është nënshkruese e marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA, e cila ka gjithsejtë 8 anëtarë. Por, në emër të Kosovës ka nënshkruar përfaqësuesi i UNMIK-ut, ndërkohë që Serbia njeh ende si autoritet legal në Kosovë UNMIK-un, ndërsa bazë legale Rezolutën 1244.
XS
SM
MD
LG