Ndërlidhjet

SHBA: Reaktori iranian, problem për bisedimet


Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, gjatë inaugurimi të uzinës së re për prodhimin e karburantit bërthamor, 9 prill '09.
Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, gjatë inaugurimi të uzinës së re për prodhimin e karburantit bërthamor, 9 prill '09.

Ajo që gjatë kësaj jave u pa si përparim në raportet SHBA-Iran, tash mund të shihet si iluzion. Ndërsa Uashingtoni doli me propozim të ri, Teherani bëri një njoftim që tingëlloi si sfidim.


Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara bënë atë që disa e përshëndetën si hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Iranin, kur njoftuan se janë të gatshëm të marrin pjesë në bisedime të plota me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor.

Grupi negociator do të përfshinte pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA-të, Rusinë, Kinën, Francën, Britaninë, plus Gjermaninë.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, iu përgjigj menjëherë dhe pozitivisht ofertës amerikane.

"Ju keni thënë se me sinqeritet i keni zgjatur dorën popullit iranian. Unë dua t'ju them se kombi iranian e mirëpret dorën tuaj të shtrirë, nëse ajo me të vërtetë është e bazuar në ndershmërinë, drejtësinë dhe respektin", tha të mërkurën Ahmadinejad në Isfahan.

Një ditë më pas, Ahmadinejad e shpalli inaugurimin e uzinës së re për prodhimin e karburantit bërthamor. Ai tha se vendi i tij tashmë ka rreth 1.000 centrifuga te uzina për pasurimin e uraniumit, dhe kjo e çon në 7.000 numrin e përgjithshëm të centrifugave.

Në Departamentin e Shtetit, zëdhënësi Robert Wood tha se lajmi krijon "problem serioz" për negociatat.

Ai tha se përderisa Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bisedojnë me Iranin pa kushtëzime, Irani obligohet nga rezolutat e OKB-së që t'i zbulojë detajet e planit të vet bërthamor.

Irani thotë se programi synon zhvillimin e reaktorit bërthamor për nevoja civile, por shumë vende besojnë se ai përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

"Bashkësia ndërkombëtare ka disa shqetësime serioze rreth aktiviteteve bërthamore të Iranit. Irani e di se çfarë duhet të bëjë. Ka shumë pyetje, të cilave Irani duhet t'u japë përgjigje, dhe sa më shpejt që e bën këtë, aq më mirë do të jetë për të gjithë", tha Wood.

Shtrohet pyetja se a ishte njoftimi i Iranit refuzim i degës së ullirit që e ofroi Shtëpia e Bardhë?

Michael Rubin thotë ‘po’, dhe e quan të orkestruar me kujdes. Rubin është specialist i studimeve për Lindjen e Mesme në Institutin Amerikan Enterprise.

Ai thotë se mospërfilljet e këtilla të Perëndimit vijnë shpesh nga zyrtarët iranianë, përfshitrë ajatollahun Ali Khamenei. Rubin thotë se përgjigjja mund ta hutojë administratën amerikane, që është shmangur nga strategjia e administratës së ish-presidentit George Bush, e cila i shmangej Iranit derisa Teherani t'i plotësonte disa kushte.

"Perceptimi i administratës Obama është sa ata janë zemërgjerë, e shtrijnë dorën që ta tregojnë dëshirën e Shteteve të Bashkuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Fatkeqësisht, disa nga politikanët e lartë përreth presidentit Barack Obama mund të pandehin se iranianët nuk i kanë ndryshuar mendimet politike, kështu që Shtëpia e Bardhë mund të mendojë se atë që ne e shohim si fleksibilitet, iranianët e shohin si dobësi", pohon Rubin.

Ai thotë se administrata tash duhet të fokusohet jo në gabimet e administratës Bush, por Obama dhe Clinton duhet të kuptojnë se kanë punë me një vend, mospajtimet me të cilin shkojnë përtej politikës.
XS
SM
MD
LG