Ndërlidhjet

Boçevski: 2009-a, vit i liberalizimit të vizave


Ivica Boçevski
Ivica Boçevski

Viti 2009 do të jetë vit i rrumbullaksimit apo i mbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Ivica Boçevski.

“Vitin 2009 do ta mbajmë mend në Maqedoni si vit kur do të bie muri Shengen. Republika e Maqedonisë, në raport me përmbushjen e kritereve për liberalizim të regjimit të vizave, është larg vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor".

"Kjo është një punë që askush nuk mund të na e mohojë. Momentalisht, presim të publikohet raporti përfundimtar i Komisionit Evropian dhe ta mbyllim këtë kapitull”,
deklaroi zëvendëskryeministri Boçevski, duke shtuar se nga liberalizimi i regjimit të vizave, duhet të përfitojnë edhe shtetet tjera të Ballkanit, pasi nga kjo mund të përfitojnë qytetarët e këtyre shteteve.

I pyetur nëse Maqedonia i ka prëmbushur të gjitha kushtet për heqjen e vizave, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare, Boçevski u shpreh:

“Zgjedhjet nuk ishin kriter; ato thjesht kontribuan në krijimin e një atmosfere dhe të një ambienti më të mirë kur vendoset për Maqedoninë. Kështu që në këtë drejtim, Maqedonia dëshmoi pjekuri politike dhe demokratike me zgjedhjet. Ndërsa, sa u përket kushteve, mendoj se ato kryesoret i kemi përmbushur; kanë mbetur edhe disa aspekte teknike. Mendoj se raportin e Komisionit Evropian e presim të përgaditur”, tha Ivica Boçevski.

Edhe eksperti për çështje evropiane, Ylber Sela, thotë se liberalizim të vizave do të ketë, edhe atë që nga muaji nëntor, pasi, sipas tij, Maqedonia tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara, përfshirë edhe atë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për të cilin zëvendëskryeministri Boçevskia tha se nuk është kusht.

“Informacionet që i kam brenda Komisionit Evropian janë se libaralizimi i vizave do të ndodhë në muajin nëntor dhe kjo është e sigurt, pasi Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Kishte mbetur vetëm kriteri i zgjedhjeve, por edhe ai mendoj se me këto zgjedhje është përmbushur dhe në nëntor do të kemi liberalizim të vizave mes BE-së dhe Maqedonisë”, tha Sela.

Duke folur për atë se kush do të përfitojë nga liberalizimi i vizave, esperti për çështje evropiane u shpreh:

“Sidomos afaristët, profesorët, studentët, të cilët do të kenë mundësi që t’i shkëmbejnë njohuritë, apo afaristët bizneset e tyre. Pra, ata do ta kenë mundësinë e lëvizjes së lirë dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë që i jep Bashkimi Evropian”, deklaroi Ylber Sela, ekspert për çështje evropiane.
XS
SM
MD
LG