Ndërlidhjet

Boris Tadiq në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, po qëndron sot në Kosovë, për të vizituar Manastirin e Deçanit, në vigjilje të Pashkëve orthodokse.

Mediat serbe kanë raportuar se zoti Tadiq nuk ka kërkuar leje për të hyrë në Kosovë nga institucionet vendëse.

Institucionet vendëse në Kosovë deri mbrëmë kanë thënë se nuk do të lejojnë hyrjen e asnjë zyrtari nëse nuk respektohen procedurat mbi vizitat e këtilla, e që kanë të bëjnë me kërkesën drejtuar vetë institucioneve kosovare.

Zoti Tadiq thuhet t'i ketë bërë një kërkesë të këtillë zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur zotit Feith se “ka vendosur të lejojë hyrjen e zotit Tadiq, nisur nga fakti se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare”.

Në një komunikatë për opinion, zoti Thaçi gjithashtu ka potencuar se “nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar”.
XS
SM
MD
LG