Maqedonia së shpejti do ta kthejë ambasadorin e saj në Beograd dhe, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo do të ndodhë pas vizitës në Shkup të ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, që duhet të realizohet më 7 maj.
Ambasadori i ri i Maqedonisë në Beograd është caktuar Lubisha Goergeivski, i cili në Beograd pritet të shkojë brenda muajit qershor.
Maqedonia ndodhet edhe para një sfide tjetër - asaj të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, njohja e së cilës kishte bërë që Serbia, në shenjë revolte ndaj këtij vendimi, menjëherë të dëbojë ambasadorin maqedonas nga Beogradi.
Nga partia e kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, nuk duan të komentojnë rikthimin e ambasadorit në Beograd dhe mosvendosjen e raporteve diplomatike me Kosovën, por jozyrtarisht pohojnë se janë të interesuar që Maqedonia të ketë raporte të mira me të gjithë fqinjët.
I pyetur nëse normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të reflektohet në marrëdhëniet me Kosovën, ish-kryeministri Vllado Buçkovski, u shpreh:
“Se a do të ndikojë kjo në marrëdhëniet tona me Kosovën, me siguri se përgjigjen e di vetëm Gruevski, i cili pa nevojë taktizon me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën në nivel ambasadorësh”, deklaroi ai.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që participon në Qeveri, kërkon vendosjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë, pasi, sipas Teuta Arifit nga BDI-ja, zvarritja e këtij procesi nuk i kontribuon imazhit të mirë të Maqedonisë.
“Vetë fakti që nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike, vetë fakti që jemi vonuar deri tani, nuk flet mirë për ne si shtet. Prandaj, për këtë arsye, nuk mendoj se ajo do të jetë një element shtesë për ngadalësim; përkundrazi, mendoj se Maqedonia tani, me vendosjen e ambasadorit në Beograd, në të njëjtën kohë do të ishte mirë të vendoste edhe ambasadorin e vet në Prishtinë”, tha Teuta Arifi, anëtare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme.
Mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe paralajmërimi i normalizimit të këtyre marrëdhënieve me Serbinë, është një veprim jo mirë i menduar, thotë nga ana tjetër analisti politik, Albert Musliu.
“Ajo që nuk e kuptoj dhe që për mua është një veprim jo i përgjegjshëm, është zvarritja e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova jo vetëm që është importuesi më i madh i prodhimeve të Maqedonisë, por Kosova gjithashtu është shtet që e përmbajnë më tepër se një e treta e popullatës në Maqedoni dhe çdo tentim që të balancohen në dëm të Kosovës, në dëm të bashkëpunimit me Kosovën marrëdhëniet me Serbinë, do të ishte jo vetëm i gabueshëm, por edhe i rrezikshëm”, deklaroi Musliu.
Sipas tij, një pjesë të fajit në zvarritjen e procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, mban edhe subjekti politik shqiptar në Qeveri, pasi, siç thotë Musliu, ai duhet të bënte presion më të fuqishëm ndaj partnerit të saj, VMRO-DPMNE-së.
“Nëse nuk arrijnë të merren seriozisht me këtë çështje, duhet t’i analizojnë raportet me partnerin e koalicionit, pasi ne nuk flasim për një çështje që është jorelevante, por për një çështje me te cilën shqiptarët në përgjithësi në Ballkan janë marrë mbi 25 vjet dhe nuk mund t’i lihet kohës rregullimi i kësaj çështjeje”, tha analisti politik, Abert Musliu.