Ndërlidhjet

Kosova, infrastruktura dhe BE-ja


“Kosova është aty ku ka qenë 10 vjet më parë, nëse bëhet fjalë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, thonë analistët dhe ekspertët për integrime evropiane në Prishtinë. Ata theksojnë nevojën e përmirësimit të problemeve infrastrukturore dhe energjetike nga institucionet kosovare, në mënyrë që Kosova t’i afrohet BE-së.


Problemet politike në relacionin Kosovë-Bashkim Evropian, e që kanë të bëjnë me mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga 5 prej gjithsejtë 27 vendet anëtare të këtij mekanizmi, sipas ekspertëve dhe analistëve politikë në Prishtinë, nuk janë problemi i vetëm, i cili vështirëson rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

Përfaqësuesi i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Shpend Ahmeti, thotë se problemet në sektorin e energjisë elektrike, si dhe probleme të tjera infrastrutrurore mund të vënë dyshime te Bashkimi Evropian për seriozitetin e institucioneve kosovare në implementimin e mjeteve të dhuruara nga ky mekanizëm, e të cilat, sipas tij, kapin shifrën prej rreth 1 miliardë eurosh vetëm në fushën e energjetikës në Kosovë.

“Ne në Kosovë që 10 vjet i kemi problemet e njëjta. Kritikat që i kemi marrë nga Bashkimi Evropian edhe vjet në Konferencën e Donatorëve, ishin ato që i kemi marrë në vitin 2002-2003 - pra, që kemi problem me sektorin e energjisë, me mospagesë të rrymës, me mosinvestime”, tha Ahmeti.

Ndonëse përmirësimi i kushteve infrastrukturore, në kuptimin klasik, nuk përmendet si kusht për integrimin e shteteve të caktuara në BE, angazhimi në këtë drejtim, sipas ekspertëve për çështje të integrimeve evropiane, është parakusht për përmirësimin e zhvillimit ekonomik.

Eksperti Shenoll Muharremi thotë se Qeveria kosovare ka plane adekuate në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, porse, siç thekson ai, këto plane duhet patjetër dhe të implemetohen e jo të figurojnë vetëm si dokumente.

“Kapacitetet implemenuese të administratës, si duket, nuk janë në nivel dhe na ka ndodhur shumë vite ku kemi këto plane të veprimit, por zbatimi i tyre është jashtëzakonisht minimal. Andaj, ne duhet të koncentrohemi që të krijojmë kapacitete implementuese. Çështja e reformës së administratës publike është shumë e ndërlidhur me këtë, sepse neve na nevojitet një administratë publike që është e gatshme për t’i implementuar veprimet që dalin nga këto çështje”, theksoi Muharremi.

Qytetarët e Kosovës, ndërkaq, i quajnë joreale deklaratat e udhëheqësve politikë të Kosovës, sipas të cilave, integrimi i Kosovës në BE do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Një qytetar nga Prishtina, Bashkim Bucolli, shprehet i pakënaqur me punën e deritanishme të institucioneve kosovare në fushën e infrastrukturës rrugore, të energjetikës dhe të tjera.

“Unë kam jetuar një kohë jashtë vendit, por nëse e krahasojmë Evropën me Kosovën, atëherë duhet të them se jemi larg. Është shumë e vështirë të afrohemi aty ku duhet. Kjo shkon një kohë të gjatë dhe kërkon punë”, tha ai.

Kështu mendon dhe Hysni Drenica, i cili thotë se në praktikë nuk po shihet asgjë nga puna eventuale e institucioneve kosovare në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane.

“Ndoshta janë duke punuar tepër, por neve nuk po na duket dhe aq, pavarësisht se cila qeveri është. Unë jam një person që e paguaj rregullisht rrymën dhe nuk kam rrymë. Pse?! Pse më duhet të bie viktimë e një personi tjetër ose e menaxhimit të dobët?”, thotë ai.

Bashkimi Evropian u parashtron vendeve që synojnë të integrohen në BE disa kushte, që në vija të trasha përmblidhen në tri shtylla: përafrimi i legjislacionit - proces i cili njihet me termin Aquis Communautarie, pastaj politika e përbashkët dhe e jashtme e sigurisë, si dhe bashkëpunimi gjyqësor dhe policor.

Mirëpo, analisti Shpend Ahmeti vlerëson se Kosova nuk duhet të punojë në drejtim të integrimit në BE si cak, por përmirësimi i fushave të caktuara duhet të bëhet për të përmirësuar standardin jetësor në vend.

“Ne duhet të punojmë në ato standarde. Nuk është që këto i përjashtojnë punët tjera, sepse puna për arritjen e standardeve për Bashkimin Evropian është një punë për përmirësimin e jetës së qytetarit në Kosovë”, vlerësoi Ahmeti.
XS
SM
MD
LG