Ndërlidhjet

Partitë politike në kërkim të profilizimit


Kuvendi i Republikës së Kosovës
Kuvendi i Republikës së Kosovës

Analistët politikë kritikojnë partitë politike që ende nuk kanë gjetur profilin e tyre. Madje, sipas tyre, partitë politike në Kosovë nuk po mbrojnë interesat e qytetarëve dhe, siç thonë ata, nuk janë as demokratike.



Partitë politike në Kosovë nuk kanë një profilizim të qartë të tyre. Kështu konsiderojnë analistët politikë dhe drejtuesit e Institutit Demokratik të Kosovës.

Sipas tyre, në bazë të programeve dhe aktiviteteve që bëjnë partitë politike, vërehet lehtë se ato nuk dallojnë shumë për kah programet që kanë. Analisti për çështje politike, Ramush Tahiri, thotë se partitë që veprojnë sot në Kosovë, nuk po mbrojnë interesat e qytetarëve dhe nuk janë as demokratike

“Partitë politike në Kosovë nuk janë të profilizuara nga orientimi i tyre dhe partitë politike nuk mbrojnë interesat e shtresave të caktuara të popullsisë. Të gjitha partitë edhe nga karakteri i vet nuk janë demokratike, sepse nuk i janë nënshtruar procesit zgjedhor, që thonë nga aktivet te degët dhe për lartë, për t’u zgjedhur në të gjitha funksionet, por janë të orientimit liderist”, thotë Tahiri.

Nga ana tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, konsideron se partitë politike në Kosovë nuk janë të profilizuara, madje, sipas tij, partitë kryesisht janë mbështetur në programet e tyre, ndërkohë që nuk është bërë një profilizim lidhur me atë se cilit spektër i takojnë ato.

“Programet e tyre shumë pak dallojnë nga njëri-tjetri në qasjen e problemeve, qoftë në ekonomi, qoftë në çështjen sociale. Kjo e bën të pamundur për të identifikuar ose për t’i ranguar partitë politike në parti djathtiste, të majta, ose parti të qendrës. Më tepër, është vetëm deklarim i liderëve se si do të orientohen partitë, të cilat ata i udhëheqin. Zakonisht, tash shohim, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, se partitë politike prioritet kanë çështjet ekonomike, apo luftën kundër korrupsionit, që në fakt edhe këto më tepër janë deklarative”, shprehet Kryeziu.

Edhe analisti Ramush Tahiri pohon se partitë politike duhet të rreshtohen varësisht interesave të tyre. Ai thotë se ato duhet ta gjejnë veten në spektrin e profilizuar kosovar.

“Kjo është e nevojshme, sepse kjo është një përvojë jo e shpikur nga ne, por është përvojë e vendeve të tjera. Kjo, kushtimisht thënë, - e majtë, e djathtë dhe e qendrës - lidhet me nivelin zhvillimor të vendit dhe lidhet me shtresa të popullsisë, ose me cilin lloj të ekonomisë do ta kishte prioritet dhe do ta ndihmonte shteti”, konsideron Tahiri.

Zoti Tahiri shton më tej se partitë politike në Kosovë nuk janë të profilizuara, pasi që ekziston niveli i ultë i demokracisë dhe i llogaridhënies. Kështu mendon edhe zoti Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Unë mendoj që vetë sistemi zgjedhor, i cili nuk u ka dhënë mundësinë partive politike të krijojnë bazë të elektoratit edhe të kenë presionin e elektoratit, do të thotë se, në këtë formë, partitë politike, duke mos pasur kontaktin e drejtpërdrejtë, ata nuk kanë presion nga ana e elektoratit në implementimin apo zbatueshmërinë e programeve të tyre”, thotë Kryeziu.

Disa përfaqësues të partive politike në Kosovë thonë se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, partitë politike mendojnë që tani të rreshtohen kah e majta, e djathta apo qendra, varësisht se cilës ideologji do t’i besojnë.
XS
SM
MD
LG