Ndërlidhjet

Përballja me krizën ekonomike



Për dallim nga vendet e zhvilluara të botës, të cilat janë prekur nga kriza ekonomike globale në fushat luksoze, siç thuhet, popullata e Kosovës është duke i ndierë pasojat e kësaj krize në gjërat elementare. Ky vlerësim doli nga një debat me temën “Kosova dhe kriza ekonomike botërore”, i cili u mbajt sot (e mërkurë) në Çagllavicë.

Pjesëmarrësit e debatit vlerësuan se kriza ekonomike globale ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale në Kosovë, e cila, sipas tyre, edhe ashtu ishte e rëndë.

Përfaqësuesit e debatit “Kosova dhe kriza ekonomike botërore” konsiderojnë se pasojat e krizës ekonomike tërthorazi janë reflektuar edhe në jetën e qytetarëve të Kosovës. Vlera e aksioneve të Trustit të Kursimeve Pensionale ka rënë për rreth 30 për qind, dërgesat nga mërgata janë zvogëluar ndjeshëm, e po ashtu ka rënë edhe eksporti i prodhimeve kosovare.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se kriza globale financiare ka sjellë si efekte pasoja anësore për Kosovën dhe ekonominë e saj. Po ashtu, ai konfirmon se për shkak të krizës ekonomike botërore, nuk kanë mundur t’i realizojnë disa projekte për punësimin stinor të të rinjve jashtë vendit, por,megjithatë, sipas tij, disa prej tyre kanë pasur sukses.

“Kemi gjetur një model që në Afganistan, në bazën amerikane, të punësojmë një numër të të rinjve dhe që nga e shtuna atje do të dërgohet numri i parë i këtyre punëtorëve”, tha Rashiq.

Ai pohoi se parashohin që si Qeveri të ndërmarrim disa masa, por që ende nuk janë zyrtare.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shprehet mjaft kritik për mosmarrjen e masave adekuate përball krizës ekonomike botërore. Sipas tij, derisa vendet e zhvilluara të botës hartojnë strategji se si të ballafaqohen me pasojat e krizës, në Kosovë më shumë humbet kohë për të bindur opinionin se nuk ka krizë.

“Ajo çka është esenciale, është një qëndrim tejet radikal i bankave karshi kredimarrësve në Kosovë. Shumë ndërmarrje kanë filluar implementimin e projekteve të ndryshme me premtime se bankat do t’i përcjellin këto projekte, por, për fat të keq, shumica kanë mbetur në gjysmë të rrugës dhe janë në krizë të madhe financiare”,
thotë ai.

Në bazë të të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, në vitin 2007 në Kosovë kanë depërtuar në mënyrë legale 520 milionë euro nga diaspora kosovare, në vitin 2008 ka pasur rritje 2.5 për qind, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti remitencat kanë rënë për 10 për qind.

Remitencat, sipas këtyre të dhënave, kanë ndikuar në 14 për qind në bruto produktin e përgjithshëm të Kosovës. Në këtë drejtim, nëse do të ketë rënie, atëherë thuhet se pasojat do të jenë të mëdha.

Sipas ekspertit për çështje ekonomike, zotit Gërxhaliu, ky është një sinjal alarmues, pasi që si pasojë e një krize të tillë, ka tensionim të politikës sociale dhe kjo do të jetë vështirësia më e madhe, me të cilën institucionet vendore do të ballafaqohen.

“Në të shumtën e rasteve krizat paraqiten në mungesë të parasë. Ajo që është e kundërta, që ndodh ndoshta për herë të parë në Evropën Juglindore, është se Kosova është në krizë sepse ka para. Do të thotë, është një efekt që paraqitet sidomos në faktet kur ata nuk dinë t’i shfrytëzojnë ato para. Nuk kanë vullnet t’i shfrytëzojnë këto para...”, thotë zoti Gërxhaliu.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, Faton Bislimi, thotë se thellimi i krizës jashtë Kosovës, domosdoshmërisht është thellim i krizës në Kosovë.

“Politikat e Kosovës që duhet të jenë në adresim të kësaj çështjeje, duhet të fillojnë nga mundësia e krijimit të zgjidhjeve, që ne mund t’i bëjmë për ta tejkaluar krizën. Kriza nuk do ta ketë efektin siç e ka në vendet e zhvilluara, ku njerëzit kanë humbur gjëra investituese dhe luksoze. Tek ne kriza do ta ketë efektin e kafshatës së gojës
”, thekson përfaqësuesi i UNDP-së, Faton Bislimi.

Hulumtimi i fundit i UNDP-së, sipas zotit Bislimi, tregon se rreth 73 për qind e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se kanë filluar t’i ndjejnë efektet e krizës ekonomike botërore, 11 për qind mendojnë se nuk i kanë ndjerë pasojat e kësaj krize; 21 për qind prej atyre që janë shprehur se kanë ndjerë krizën, kanë humbur punën; mbi 50 për qind e tyre e kanë ndjerë këtë krizë ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve dhe 9 për qind e kanë ndjerë nga ndalimi i dërgesave financiare nga miqtë dhe familjarët e tyre nga diaspora.
XS
SM
MD
LG