Pas një takimi të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk folën për miqësinë, por për respektin e ndërsjellë dhe punën serioze që duhet bërë për të adresuar çështje të shumta të interesit të përbashkët.
Ishte presidenti amerikan ai që ngriti çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve në komentet e tij para gazetarëve.
"Mendoj se kemi një mundësi të shkëlqyeshme për të rivendosur marrëdhëniet tona midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi një gamë çështjesh, prej armatimit dhe prodhimit nuklear, situatës në Afganistan dhe Pakistan, qasjes karshi Iranit dhe Lindjes së Mesme, marrëdhënieve komerciale midis dy vendeve dhe adresimit të krizës financiare, e cila ka vënë aq shumë trysni mbi ekonomitë e vendeve në mbarë botën”, ka thënë presidenti amerikan.
Nga ana e tij, Lavrov tha se diplomatët amerikanë dhe ata rusë tani janë duke u përgatitur për mbajtjen e një samiti midis Barack Obamas dhe homologut të tij rus, Dmitry Medvedev, gjatë kësaj vere, dhe në këtë kuadër ai përmendi edhe atmosferën pozitive që është krijuar tashmë.
"Mendoj se jemi duke punuar në një formë shumë pragmatike, mbi bazën e interesit të përbashkët kudo që interesat tona pajtohen dhe mbi bazën e respektit për njëri-tjetrin kudo që kemi mospajtime, duke bërë përpjekje të ngushtojmë hendekun midis këtyre mospajtimeve, për të mirën e vendeve tona dhe stabilitetit ndërkombëtar”, tha ministri i Jashtëm rus.
Megjithatë, dallimet në qëndrime midis këtyre dy vendeve janë të theksuara. Aty përfshihet edhe çështja e Gjeorgjisë, ajo e vendosjes së sistemeve kundër-raketore në Evropën Qendrore dhe fakti nëse duhet anëtarësuar në NATO edhe më shumë vende që dikur kanë qenë në sferën e ndikimit sovjetik.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, pas takimit me zotin Lavrov tha se dallimet e të dyja vendeve mbi çështje të caktuara nuk do t’i pengojnë përpjekjet për të hartuar një traktat edhe më të fuqishëm mbi armatimin.
“Me ministrin e Jashtëm biseduam se si mund të vëmë, nëpërmjet përpjekjeve tona të përbashkëta, një standard dhe shembull për përmirësimin e sigurisë në hapësirat nukleare dhe të parandalojmë prodhimin e materialeve nukleare në mbarë botën”, tha zonja Clinton.
Mbase, çështja më e debatueshme në vijën Washington - Moskë aktualisht është Gjeorgjia, kundër së cilës Rusia nisi një luftë të shkurtër vitin e kaluar.
Clinton dhe Lavrov u pajtuan se stabiliteti në Kaukaz është interes i përbashkët, por, megjithatë, ata nuk pajtohen mbi mënyrën se si duhet arritur deri tek ky stabilitet.