Ndërlidhjet

Vizita e Papës në Izrael


Papa Benedikti XVI u prit nga presidenti izraelit, Shimon Peres.
Papa Benedikti XVI u prit nga presidenti izraelit, Shimon Peres.

Papa Benedikti XVI ka arritur në Izrael, në kuadër të vizitës së tij pesëditëshe në këtë vend dhe territoret palestineze. Vizita është vlerësuar si pjesa më e ndjeshme diplomatike e këtij turneu.




Gjatë qëndrimit në Izrael, Papa Benedikti XVI ka vizituar qendrën memoriale Yad Vashem, e ndërtuar në shenjë kujtimi për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit. Ai është zotuar të mbajë kujtimin gjallë për gjashtë milionë viktimat që humbën jetën e tyre.

Me këtë hap, ai synon t’i zbusë tensionet mbi vendimin e tij për të hequr përjashtimin e një peshkopi, që ka mohuar faktin se gjenocidi ka ndodhur. Papa Benedikti, i cili ka lindur në Gjermani dhe për një kohë të shkurtër ka qenë anëtar i Rinisë së Hitlerit, ka biseduar edhe me mbijetuesit e Holokaustit dhe gjatë një fjalimi emocional tha se “thirrjet e viktimave ende jehojnë në zemrat tona”.

“Ata kanë humbur jetët e tyre, por nuk do t’i humbin kurrë emrat”, tha Papa, duke shtuar se “Kisha Katolike është duke punuar shumë për të siguruar që urrejtja kurrë më të mos zë vend në zemrën e një njeriu”.

Pas vizitës në qendrën memoriale, ai u takua me presidentin izraelit, Shimon Peres. Në Izrael ka arritur pasi ka vizituar Jordaninë, me ç’rast edhe bëri thirrje për raporte më të ngrohta midis myslimanëve dhe katolikëve. Të njëjtin mesazh e ka sjellë edhe në Izrael mbi raportet midis hebrenjve dhe Vatikanit.

Presidenti izraelit, Shimon Peres, e ka adresuar këtë çështje gjatë ceremonisë së mikpritjes në aeroportin e Tel Avivit.

"Vizita juaj këtu sjell një mirëkuptim të bekuar midis dy religjioneve dhe përçon paqen tej e përtej”, tha zoti Peres.

Por, kjo detyrë mund të jetë e rëndë për Papa Benediktin XVI.

Hebrenjtë janë ende të zemëruar me veprimet e Benediktit të para disa muajve, me rivendosjen në funksion të një peshkopi që ka mohuar përmasat e Holokaustit.

Peshkopi ishte përjashtuar për arsye të tjera, por Benedikti, duke vepruar pa u konsultuar me këshilltarët e tij dhe, siç duket, duke mos qenë i vetëdijshëm për pikëpamjet e peshkopit, e riktheu atë në funksion.

Ky veprim rihapi plagët që ende nuk janë shëruar ashtu siç duhet, e që kanë të bëjnë me besimin e hebrenjve se Kisha Katolike, në formë pasive, ka pranuar planin e Gjermanisë naziste për t’i përndjekur hebrenjtë evropianë.

Ata thonë se Papa i atëhershëm, Pius XII, nuk i ka shfrytëzuar kontaktet që ka pasur me Gjermaninë për të shpëtuar viktimat e Holokaustit. Vatikani e mohon këtë duke thënë se Pius ishte aktiv në prapaskenë, duke bërë gjithë çka ishte e mundshme.

Në qendrën memoriale Yad Vashem, Benedikti nuk e ka vizituar atë pjesën e muzeut, ku është e vendosur fotografia e Pius XII, në përshkrimin e së cilës thuhet se ai nuk ka protestuar kundër gjenocidit nazist mbi hebrenjtë dhe ka mbajtur një qëndrim neutral.

Sidoqoftë, derisa ishte në Aman, ai ka bërë disa komente që mund të jenë mesazhe si për militantizmin modern të islamizmit, ashtu edhe për tensionet tradicionale midis të krishterëve dhe hebrenjve.

"Padyshim, kundërthënia e tensioneve dhe ndarjeve midis përçuesve të traditave të ndryshme fetare, për fat të keq, nuk mund të mohohen. Megjithatë, a nuk është manipulimi ideologjik i një religjioni, në raste të caktuara edhe për qëllime politike, ai që shihet si katalizator i tensioneve dhe ndarjeve, e në disa raste edhe i dhunës në një shoqëri”, tha Papa Benedikti XVI.

Ky i fundit ka zemëruar gjithashtu edhe botën myslimane tre vjet më parë, kur ka cituar një tekst mesjetar që ka karakterizuar disa nga mësimet e Profetit Muhamed si “keqbërëse dhe jonjerëzore”, veçanërisht “urdhrin e tij për të përhapur fenë me shpatën e besimit”.

Më vonë ai pati shprehur keqardhje për fyerjen që u kishte shkaktuar myslimanëve me këto komente.

Gjatë turneut të tij, Papa do të vizitojë edhe territoret palestineze dhe do të takohet me presidentin palestinez, Mahmud Abbas, për ta mbajtur më vonë një fjalim edhe para refugjatëve palestinezë në Bethlehem, vendlindjen e Jezu Krishtit.

Dhe, edhe me këtë rast, politika do ta ketë rolin e saj, sepse palestinezët në këtë kamp kanë ndërtuar një podium të veçantë për Papën, mu përpara një muri të gjatë, të cilin izraelitët e kanë ndërtuar për ta ndarë Bregun Perëndimor nga Izraeli.

Në këtë mënyrë, mediat botërore që do ta mbulojnë fjalimin e Papës, do të shohin edhe imazhet e murit të ndaluar. Izraelitët e kanë kundërshtuar lejen për ndërtimin e podiumit, por palestinezët e kanë shpërfillur këtë vendim.

Ende nuk është e qartë nëse Papa do të shfrytëzojë këtë podium apo do të zgjedhë një lokacion tjetër për të mbajtur fjalimin e tij.
XS
SM
MD
LG