Ndërlidhjet

Pse u lirua Roxana Saberi nga burgu i Teheranit?


Gazetarja Roxana Saberi pas lirimit nga burgu...
Gazetarja Roxana Saberi pas lirimit nga burgu...
Lirimi i gazetares iraniano-amerikane, Roxana Saberi, nga burgu famëkeq i Evinit në Teheran, është mirëpritur nga grupet për të drejtat e njeriut dhe qeveritë perëndimore, përfshirë këtu dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili e ka cilësuar si “gjest human”.

Mirëpo, ende mbesin shumë pyetje se si dënimi fillestar i Saberit për akuza relativisht të vogla u kthye në një akuzë për spiunazh dhe dënim me heqje lirie për tetë vjet.

Përderisa analistët mund të mos pajtohen me arsyet që qëndrojnë pas vendimit të Iranit për të liruar Saberin, ekziston një pajtim i gjerë se rasti ishte i motivuar politikisht.

Shkallëzimi i shpejtë i akuzave kundër gazetares 32-vjeçare, i pasuar nga një proces i shpejtë apelesh që rezultoi me një dënim më të vogël - të bën të mendosh për natyrën politike të këtij rasti.

Akuzat fillestare kundër Saberit u paraqitën në muajin janar, në lidhje me blerjen e një shisheje verë – gjë që është ilegale në Iran. Këto akuza shpejt u zgjeruan në akuza për spiunazh për Shtetet e Bashkuara, të cilat rezultuan me shpalljen e saj fajtore dhe me 8 vjet burgim – dhënë nga një gjyq revolucionar.

Më në fund, mes ankesave ndërkombëtare për burgosjen e Saberit, gjykata e apelit, brenda 24 orëve pas seancës dëgjimore, ka ndryshuar vendimin, duke rezultuar kështu në zvogëlimin e dënimit në dy vjet, gjë që i mundësoi Saberit të largohet e lirë nga shteti.

* * * * *

Për gazetarin e mirënjohur, Mashaollah Shamsolvaezin, zëdhënës i Asociacionit për Liri të Shtypit në Iran, rasti i Saberit është shembull primar për ndikimin e politikës në drejtësinë iraniane.

“Edhe një herë, drejtësia iraniane ka dëshmuar se i shqipton dënimet nën ndikimin e zhvillimeve politike. Dhe, nën ndikimin e problemeve politike – vendase dhe ndërkombëtare – i shtyp dënimet e shqiptuara”,
tha Shamsolvaezin.

Burgosja e Saberit ishte parë nga disa si një përpjekje e “linjave të forta” iraniane për të sabotuar ofertën e presidentit Obama për angazhim në Republikën Islamike.

Nëse ky në fakt është rasti, duket se deri diku ia kanë arritur qëllimit, duke marrë parasysh se disa persona të skenës politike të SHBA-ve e konsideruan burgosjen e Saberit si provë se Irani nuk është një partner i besueshëm për negocim dhe se angazhimi është humbje kohe.

Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ishte ankuar më 30 prill për “përgjigjet e përziera” që i ka marrë nga Irani për fatin e Saberit, duke thënë se mendon që “kjo tregon se sa e vështirë është të bashkëpunosh me këtë qeveri në Iran”.

* * * * *

Gazetari nga Teherani, Iraj Jamshidi, i tha Radios Evropa e Lirë, se me lirimin e Saberit, Irani po ua jep dritën e gjelbër SHBA-ve.

“Fakti që gjykata e apelit mbajti shpejt seancën dhe dha vendimin brenda 24 orëve mund të interpretohet si një indikacion i interesave të Republikës Islamike për të hapur negocime serioze me SHBA-të. Duket se liderët iranianë mund të kenë vendosur të mos i rrisin tensionet në lidhjet me SHBA-të dhe i hapën dyert për bisedime”, ka thënë Jamshidi.

Disa spekulonin se Saberi ka qenë efektivsiht e përdorur nga institucionet iraniane si një “peng i butë”, që do të mund të përdorej si një monedhë për të rënë në ujdi me SHBA-të në lidhje me mosmarrëveshjet për programin bërthamor të Teheranit dhe për probleme të tjera.

Është dëgjuar po ashtu dhe një spekulim se Irani synonte të përdorte Saberin për të siguruar lirimin e disa qytetarëve të vet që gjendeshin në burgjet e SHBA-ve.

Duke iu referuar spekulimeve se SHBA-të dhe Irani ishin të angazhuar në bërjen e marrëveshjeve, gazeta e përditshme iraniane “Sarmayeh”, më 12 maj, kishte shkruar se Irani dhe SHBA-të mund të kenë biseduar për çështjen e Saberit gjatë konferencës së donatorëve për Pakistanin, që u mbajt muajin e kaluar në Tokio. Edhe i dërguari special i SHBA-ve për çështjen e Afganistanit dhe Pakistanit, Richard Holbrooke, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Manuchehr Mottaki, kishin marrë pjesë në konferencën njëditore që u mbajt më 17 prill.

Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit ka kundërshtuar ashpër spekulimet e tilla, duke u thënë agjencive të lajmeve, më 11 maj, se “nuk ka pasur marrëveshje” që çoi në lirimin e Saberit, e cila jetonte në Iran gjashtë vjetët e fundit.

* * * * *

Disa analistë, përfshirë këtu dhe Shamsolvaezin, ende thonë se negocimet prapa skenave ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit, mund të kenë ndihmuar rastin e Saberit.

“Më duket se ata donin të bënin marrëveshje. Nuk e di a ka ndodhur apo jo”, tha Shamsolvaezin.

Lirimi i Saberit para zgjedhjeve presidenciale të Iranit, që do të mbahen në qershor, interpretohet nga disa si një lëvizje për fushatën zgjedhore nga ana e presidentit iranian, Mahmud Ahmadinejad. Muajin e kaluar, në mes të ankesave ndërkombëtare për rastin e Saberit, Ahmadinejad i dërgoi letër gjykatës, duke kërkuar trajtim të drejtë të rastit.

Duke pasur parasysh se Ahmadinejad kërkon të rizgjidhet, lirimi i Saberit mund të konsiderohet nga votuesit iranianë si një gjest qëllim-mirë i Ahmadinejadit, që hoqi pengesat për t’i përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-të.

Marrë në konsideratë dëshirën e iranianëve për marrëdhënie më të mira me SHBA-të, një gjë e tillë Ahmadinejadit mund t’i sjellë disa vota.

Më 12 maj, gazeta e përditshme konservative “Jomhuri Eslami” e quajti Saberin “një spiune amerikane” dhe tha se “qarqet politike” në Iran besojnë se pezullimi i dënimit të saj nuk përputhet me akuzat për spiunazh, të bëra nga Ministria e Inteligjencës Iraniane.

Por, e përditshmja, e cila njihet për reflektimin e pikëpamjeve të liderit suprem, Ayatollah Khamenei, gjithashtu citon babanë e Saberit të ketë thënë se përpjekjet e presidentit iranian ishin të instrumentalizuara në zgjidhjen e rastit të vajzës së tij.

Teoria e fundit që dëgjohet mes iranianëve është se nënshtetësia e dyfishtë iraniano-amerikane e Saberit ka ndihmuar në lirimin e saj. Teknikisht, Irani nuk njeh nënshtetësi të dyfishtë, duke i konsideruar të gjithë iranianët vetëm si shtetas të Iranit.

Por, gazetarët iranianë thonë se Roxana Saberi, megjithatë, është liruar relativisht shpejt përkundër akuzave të rënda, përderisa një numër i studentëve, mësimdhënësve, punëtorëve dhe gazetarëve mbesin të burgosur për akuza të njëjta.

Një gazetar tha se do të dëshironte që të gjithë iranianët të kenë nënshtetësi të dyfishtë iraniano-amerikane, kështu që edhe ata të mund të përfitojnë nga “deti i pakufishëm i zemërgjerësisë” së presidentit të tyre.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG