Ndërlidhjet

Kriza prek edhe Kosovën


Raporti i Paralajmërimit të Hershëm ka vënë në pah se kriza globale financiare ka prekur edhe kosovarët. Moszhvillimi ekonomik, varfëria dhe korrupsioni - vlerësohen nga qytetarët kosovarë si faktorë që mund ta destabilizojnë vendin.


Kosovarët, pa dallim etnie, mendojnë se janë prekur nga kriza globale financiare. Të paktën ky perceptim vihet re Raportin e Paralajmërimit të Hershëm, faktet e shpejta të të cilit u publikuan sot.

“Njerëzit e Kosovës, pa marrë parasysh etnitetin, mendojnë se janë të prekur nga kriza globale ekonomike. Një numër i madh i të anketuarve thotë se ndjen efektin përmes çmimeve më të larta, humbjes së vendeve të punës dhe rënies së ndihmës financiare nga familjarë që jetojnë jashtë vendit”, thotë shefi i UNDP-së për Kosovën, Frode Mauring.

Duke mbetur te gjendja socio-ekonomike, raporti vë në pah se brengë kryesore për kosovarët, qofshin shqiptarë, apo serbë, mbetet papunësia, varfëria, mungesa e rrymës dhe korrupsioni.

“Këto brenga janë shënuar si faktorë kryesorë, që kërcënojnë stabilitetin e Kosovës. Gjithashtu duhet cekur se për herë të parë, qytetaret e etnitetit serb kanë deklaruar se papunësia dhe varfëria mund të jenë kërcënime kryesore për stabilitetin e Kosovës, për ndryshim nga raportet e kaluara, ku shqetësimet ishin për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”, shprehet zëdhënësi i UNDP-së, Armend Muja.

Për këtë gjendje, mbi 90 për qind e të anketuarve përgjegjësinë ia atribuojnë institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, është vërejtur një rënie e kënaqshmërisë me pothuaj të gjitha institucionet.

Raporti tregon se shkalla e kënaqshmërisë për kryetarin ka rënë përreth 23 për qind, ndërsa për kryeministrin ka rënë në 24 për qind dhe aktualisht qëndron në 39 për qind.

“Anketa tregon se rreth 38% e respondentëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës, rënie kjo prej diku rreth 19% nga tetori i vitit 2008. Për fat të keq, besimi i qytetarëve në gjyqet mbetet shumë i ultë, me vetëm 20% që janë të kënaqur me punën e tyre. Kjo çështje duhet adresuar menjëherë”,
tha Mauring, duke shtuar se është nevojë urgjente për t’i adresuar çështjet si sfidat ekonomike, nivelin e varfërisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Korrupsioni, së bashku me gjyqësor të dobët, shihet nga investitorët si një nga pengesat kryesore të të bërit biznes në Kosovë. Iniciativat e reja janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe kualitetin e shërbimeve publike, e si pasojë edhe mirëqenia e çdo burri dhe gruaje në Kosovë. Prandaj, unë ju lus që t’i dyfishoni përpjekjet e juaja ndaj këtyre fenomeneve”, është shprehur Mauring.

Institucioni i vetëm, i cili ka shënuar rritje të kënaqshmërisë, është EULEX-i. Ndërsa, prania e UNMIK-ut bëhet gjithnjë e më e padëshirueshme.

Ndërkohë, ajo që zyrtarët e UNDP-së e shohin si të veçantë në këtë raport, është rritja e gatishmërisë së serbëve për të punuar me shqiptarët nga 21%, sa ishte vitin e kaluar, në 48%. Por, UNDP-ja e sheh si brengosës faktin se numri i shqiptarëve për të njëjtën çështje ka rënë në 30 %, në krahasim me gati 60% në korrik të vitit 2006. Anketa është kryer në muajin prill me 1291 të anketuar.
XS
SM
MD
LG