Ndërlidhjet

Shqetësimet në rritje për ekonominë


Që nga muaji maji i vitit 2008, sipas përfaqësuesve të Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim UNDP, mbi 90 për qind e qytetarëve të anketuar ia atribuojnë përgjegjësinë për gjendjen ekonomike në Kosovë institucioneve kosovare, ndërsa më pak prej tyre e konsiderojnë UNMIK-un përgjegjës.

Përfaqësues i UNDP-së Mytaher Haskuka thotë se rezultatet e anketës së fundit tregojnë rënie drastike për 28 për qind të numrit të anketuarave që konsiderojnë Qeverinë e Kosovës përgjegjës për gjendjen ekonomike në Kosovë, derisa ky tregues për UNMIK-un ka rënë për 10 për qind.

“Nga analizat e mëhershme edhe me ekspertë më fokus grupe edhe nga hulumtimet që kemi bërë, zakonisht është fajësuar UNMIK-u për shkak se ka qenë përgjegjës për funksionimin e shumë sferave në Kosovë. Me kalimin e kompetencave tek vendorët , kjo ka bërë që qytetarët të fajësojnë institucionet kosovare dhe jo më UNMIK-un".


Ndërkohë, sa i përket asaj se cila është arsyeja pse qytetarëve fajësojnë qeverinë dhe institucionet tjera kosovare për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, zoti Haskuka thekson se kjo pritet të bëhet në fazën e dytë, ku do të takohen me ekspertë të fushave të ndryshme.

Sipas tij, në një raport final të UNDP-së për këtë çështje do të theksohen arsyet e qytetarëve.

Ndërkohë, eksperti për çështje ekonomike, Safet Merovci, thotë se UNDP është një institucion serioz, pasi që analizat çdo herë në të kaluarën kanë qenë të qëlluara, dhe sipas tij, ky sondazh është më se i saktë.

“Pas pavarësisë tash qytetarët fillojnë të mendojnë për vetveten dhe i sheh të tjerët në çfarë luksi. Natyra e krizës ekonomike në Kosovë është e tillë që Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera nuk janë në nivel të përgjegjësisë dhe nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë krize janë qytetarët e Kosovës”, thotë zoti Merovci.

Zoti Merovci, thekson se mungesa profesionale në qeverisje, duke iu bashkangjitur edhe sfida tjetra siç janë veriu i Kosovës, mungesa e mbikëqyrjes së doganave, kontrabandës... kanë ndikuar që në Kosovë të ketë varfëri 50 për qind, dhe për këtë qytetarët të fajësojnë pikërisht institucionet e vendit.

Papunësia afatgjate, po ashtu, sipas të dhënave të një raporti të publikuar nga Ministria e Punës dhe mirëqenies sociale është rritur dhe mbetet si problemi qendror në tregun kosovar të punës. Ky raport, tregon se rreth 93.5 për qind e të papunëve të regjistruar janë të papunë për më shumë se 12 muaj, gjë që bënë qytetarët të humbin besimin tek institucionet.

Përfaqësuesi i UNDP-së, Mytaher Haskuka, ndërkaq, vlerëson se situata ekonomike nuk është krijuar vetëm në periudhën e fundit, po është një problematik e Kosovës nëpër decenie. Sipas tij, situata është përkeqësuar gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që ka papasur një rimëkëmbje pas luftës.

“Çdo vit ne kemi një numër shumë të madh të njerëzve që hyn në tregun e punës dhe fatkeqësisht, ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje që t’i punësojë të gjithë. Me problemet sidomos me viza dhe me daljen jashtë vendit të kosovarëve, problemi i papunësisë me duket se është rritur”, mendon zoti Haskuka.

Ndryshe, zhvillimi ekonomik në Kosovë dhe ngritja e nivelit të standardit jetësor për banorët e këtij vendi mbetet sfidë për mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG