Ndërlidhjet

SHBA: Dënohen zgjedhjet në Osetinë Jugore


Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar dënimit të zgjedhjeve separatiste në Osetinë Jugore në Gjeorgji.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Robert Vud, nëpërmjet të një deklarate, tha se Shtetet e Bashkuara “me keqardhje e shohin vendimin për mbajtjen e të ashtuquajturave zgjedhje” në Osetinë Jugore, të dielën e kaluar.

Ai mëtutje tha se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin as legalitetin dhe as rezultatet e votimit për legjislaturën separatiste.

Në deklaratë thuhet se zgjedhjet paraqesin “një hap më larg nga zgjidhja paqësore dhe me negociata” për konfliktin lidhur me Osetinë Jugore. Zëdhënësi Vud, mëtutje theksoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Më herët, zgjedhjet në Osetinë Jugore i ka dënuar Bashkimi Evropian dhe qeveria e Gjeorgjisë, duke i vlerësuar ato si jolegjitime.
XS
SM
MD
LG