Ndërlidhjet

Thaçi inkurajon kthimin e serbëve


Kryeministri Thaçi përuroi themelet e shtëpisë së re për familjen Spasiq, 2 qershor 2009.
Kryeministri Thaçi përuroi themelet e shtëpisë së re për familjen Spasiq, 2 qershor 2009.

Qeveria është shprehur e vendosur se do t’i eliminojë të gjitha pengesat që i dalin përpara procesit të kthimit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dha këtë premtim gjatë drekës që hëngri me familjen serbe Spasiq, shtëpia e së cilës ngriti themelet në një fshat afër Obiliqit.


Në Kosovë është më mirë se në Serbi. Është kjo deklaratë e Radojka Spasiq. Ajo për vite me radhë, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, ka qenë e zhvendosur në Vërnjaçka Banjë të Serbisë. Sot, në oborrin e saj në Crkveno Vodicë të Obiliqit, ishte vetë kryeministri, Hashim Thaçi, ai që përuroi themelet e shtëpisë së re për të dhe familjen e saj.

“Më mirë është këtu. Të parët tanë kanë jetuar këtu, ne kemi nipër dhe duam të jetojmë në vendin tonë. Për politikën s’mendoj fare, tash është mirë, të shohim se si do të bëhet”, thotë Radojka Spasiq.

Do të duhet të paktën një muaj që shtëpia të përfundojë. Kryeministri Hashim Thaçi, pasi ka ngrënë drekë me familjarët serbë, ka premtuar se Qeveria që ai drejton, do të mundësojë kthimin për secilin serb që dëshiron të jetojë në Kosovë.

“Familja Spasiq është një familje që u kthye për të jetuar në Kosovën e re, është shembulli më i mirë i jetës në Kosovën e këtij viti. Është familje e kthyer për të jetuar në Kosovën e re, me shtëpi të re, që sapo ka filluar, me investimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk do të ndalen, por do të rriten. Kosova është vend i të gjithëve”, tha Thaçi.

Janë dhjetëra mijëra serbë të zhvendosur, që kanë lënë shtëpitë pas përfundimit të luftës. Ministria e Kthimit thotë se deri më tani janë kthyer 18 mijë persona. Këtë vit pritet kthimi i qindra familjeve serbe.

“Ajo që më bën të lumtur, është se shumë njerëz duan të kthehen dhe po lajmërohen në Ministrinë e Kthimit. Do t’u ndihmojmë në maksimum. Presim që të kthehen disa qindra familje këtë vit. Por, kurrë nuk dihet. Aktualisht, në proces të kthimit janë 45 familje”, tha ministri i Kthimit, Sasha Rashiq.

Anëtare e familjes Spasiq,,,
Deri më tani është parë se kthimi në fshatra ka qenë më i lehtë, sesa ai në mjediset urbane. Vetë ministri Rashiq ka thënë se në të shumtën e rasteve, më i vështirë është integrimi, sesa kthimi.

Kryeministri Thaçi, në fshatin e përzier etnikisht, Crkveno Vodicë, ka premtuar se do t’i heqë pengesat që i dalin përpara këtij procesi.

“Unë dhe qeveria që e udhëheq, do të eliminojmë çdo pengesë që del në këtë proces, në mënyrë që të kemi sukses. Suksesi nuk do të mungojë nëse jetojmë e punojmë bashkërisht”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Gjatë viteve të kaluara, ka pasur raste kur shtëpitë e ndërtuara me fonde të Qeverisë apo të donatorëve, janë shitur nga serbët lokalë ose janë boshatisur, meqë ata kanë vendosur të jetojnë qoftë në Serbi, qoftë në mjediset e banuara me shumicë serbe.

Kryeministri nuk beson se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Crkveno Vodicë.

“Kjo pyetje s’përkon me realitetin kosovar. Ne po i kthejmë njerëzit në Kosovë dhe nuk po largohen njerëzit nga Kosova, dhe ky është zhvillim pozitiv. Kemi marrë përgjegjësitë që na takojnë, është e drejtë e çdo qytetari që të kthehet“, deklaroi Thaçi.

Sipas Ministrisë së Kthimit, vitin e kaluar, për shkak të shpalljes së pavarësisë, ka pasur një stagnim në procesin e kthimit. Por, thuhet se këtë vit disponimi për kthim është më i madh.

Sidoqoftë, kjo ministri thekson se për një kthim të qëndrueshëm duhen fonde të mjaftueshme, të cilat aktualisht Qeveria nuk mund t’i sigurojë. Ministrisë së Kthimit, që është përgjegjëse për kthim, këtë vit i janë ndarë vetëm 7. 5 milionë euro.
XS
SM
MD
LG