Ndërlidhjet

Përkundër krizës, migracioni në rritje


Mungesa e perspektivës për të ardhmen është arsye kryesore që ndikon në rritjen e interesimit të qytetarëve për të braktisur Kosovën. Kështu pohojnë udhëheqës të Institutit për Hulumtime për Migrim.


Përkundër krizës financiare ndërkombëtare dhe uljes së të hyrave materiale nga diaspora, shumë qytetarë kosovarë dëshirojnë të lëshojnë vendin dhe të migrojnë në vende të ndryshme botërore. Kështu thotë Rifat Blaku, udhëheqës i Institutit për Hulumtime për Migrim.

Mungesa e perspektivës për të ardhmen, në masë të madhe ka ndikuar që qytetarët kosovarë në forma të ndryshme të ikin nga Kosova, thotë demografi Blaku.

“Në politikat dhe strategjitë evropiane të migracionit tashmë ka përkufizime dhe kërkohen kuota të caktuara të kategorive të punëtorëve, ngase edhe vetë shtetet tashmë janë në një recesion, në një krizë të thellë. Edhe fabrikat, uzinat, gjigantet e mëdha ekonomike kanë zvogëluar numrin e madh të punëtorëve, bile shoqërohen edhe me fiasko dhe me lëshime masive”, thotë Blaku.

Por, kriza globale nuk mjafton që të ulet interesimi i qytetarëve, sidomos i të rinjve, për të braktisur Kosovën, thotë Blaku, duke shtuar se arsye e kësaj çështjeje mbetet shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë.

“Sikundër edhe në shumë vende të rajonit, sidomos në Kosovë, sot aktualisht çështja e punësimit, respektivisht papunësia, është në manifestim të plotë, është temë aktuale. Dhe, një numër i madh i të papunëve, kryesisht të rinj, kërkojnë alternativë, kërkojnë rrugë tjera”, deklaron Blaku.

Se shkalla e lartë e papunësisë tek të rinjtë ka ndikuar në rritjen e migracionit, thotë edhe Lindita Loshi, udhëheqëse e Qendrës Rinore të Kosovës.

“Mendoj se migrimi i të rinjve ndodh për arsye se në Kosovë mungon ende perspektiva rinore, edhe pse tashmë jemi shtet, sepse të rinjtë, në bazë të hulumtimeve që janë bërë, mbarojnë shkollimin e tyre dhe nuk kanë mundësi punësimi në vendin e tyre. Atëherë, në mungesë të kushteve ekonomike, të rinjtë detyrohen të migrojnë jashtë vendit”,
thotë Loshi.

Pamje në Prishtinë
Pavarësisht këtyre, sipas demografit Blaku, shqetësues mbetet fakti se shumica e qytetarëve, Kosovën e braktisin në forma ilegale, formë kjo që thuhet se pamundëson edhe evidentimin e qytetarëve që migrojnë.

Ai, madje, thotë se pjesa më e madhe që e lëshojnë Kosovën, janë nga viset rurale, ndërkaq vendet më atraktive për ata që synojnë të migrojnë, janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Zakonisht pretendohet që përmes Italisë t’i mësyhet Bashkimit Evropian; janë dhe disa kanale tjera klandestine që veprojnë. Por, meqë janë të tilla, të egra, ilegale, apo në të zezë, nuk mund të thirremi në to. Janë institucione të veçanta që kanë të bëjnë me kufijtë, azilin dhe migracionin”, thekson Blaku.

Ndryshe, sipas demografit Blaku, interesimi për migrim ka arritur pothuajse në gjendjen e viteve të 90-ta. Në atë kohë, sipas tij, migracioni ka ndodhur për shkak të gjendjes politike, ndërsa tash, thotë ai, arsye kryesore është gjendja ekzistenciale.

Por, me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kanë lëshuar në vitet e 90-ta.
XS
SM
MD
LG