Ndërlidhjet

Ekonomia kosovare në 10 vjet


Kosova, në 10 vjetët e pasluftës, sipas ekspertëve, nuk ka arritur të ketë një ekonomi të qëndrueshme. Ata thonë se janë zhvilluar pak projekte kapitale dhe se ekonomia është e varur nga mjetet që vijnë nga jashtë. Edhe energjia elektrike thuhet të jetë një problem ende i pazgjidhur.


Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të organeve ekonomike në Kosovë thonë se sundimi i ligjit, funksionaliteti i gjykatave ekonomike, luftimi i korrupsionit - kanë mbetur me prioritet shumë të lartë edhe 10 vjet pas luftës.

Sipas tyre, të gjithë këta faktorë kanë peshë të rëndë në ekonominë e Kosovës dhe, siç thonë, do të vazhdojnë ta rëndojnë ekonominë kosovare, përderisa nuk zgjidhen.

Zhvillimi ekonomik në Kosovë në 10 vjetët e pasluftës, sipas kryetares së Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari-Lila, ka qenë më shumë një formë e ngritjes së infrastrukturës ligjore, e më pak e asaj fizike.

“Sfida ose problemi kryesor ka qenë energjia elektrike, edhe 10 vjet pas luftës dhe pas shumë investimeve që janë bërë në këtë sektor, sidomos në KEK. Ende nuk kemi një situatë të zgjidhur. Ende është në proces zgjedhja e kompanisë për projektin e ri ‘Kosova e re’. Një proces gati i vonuar”, thotë zonja Kusari-Lila.

Gjithashtu, ngritja e institucioneve, të cilat duhet të jenë në funksion të ekonomisë së hapur dhe të lirë të tregut gjatë këtyre 10 vjetëve, sipas zonjës Kusari-Lila, ka prezantuar dhe prezanton një sfidë për institucionet dhe shtetin e ri të Kosovës.

“Ende flasim për një ekonomi jo të qëndrueshme. Nëse ndalen remitencat dhe nëse ndalen pagesat, të cilat i bëhen bashkësisë ndërkombëtare dhe mjetet që ata i shpenzojnë në Kosovë, si dhe investimi i tyre në stafin lokal - ne, kosovarët, me siguri se do të ballafaqohemi me rezultate, mos të them fatale, të krizës ekonomike dhe sociale në Kosovë”, shprehet zonja Kusari-Lila.

Ndërsa, Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik, thotë se gjatë këtyre 10 vjetëve institucionet e Kosovës kishin lënë anash zhvillimin ekonomik dhe prioritet kishin zhvillimet politike.

“Nuk mund të flasim për këtë periudhë prej një dekade për ndonjë zhvillim ekonomik, pasi që shtylla e katërt e UNMIK-ut, që ishte përgjegjëse për zhvillimin ekonomik dhe sektorin e ekonomisë, nuk kishte ndonjë strategji konkrete, ndërsa qeveritë që ishin, nuk kishin strategji afatgjate të zhvillimit”, thotë zoti Bektashi.

Ai konsideron se gjatë këtyre 10 vjetëve procesi i zhvillimit ekonomik në Kosovë ishte i pakontrolluar dhe jo i stimuluar në mënyrë institucionale.

“Momentalisht, jemi shteti më i pazhvilluar në Evropë në aspektin ekonomik, me papunësinë më të madhe, me zhvillim më të ulët ekonomik dhe me të gjitha problemet ekonomike dhe sociale, me të cilat sot ne ndeshemi”, shprehet profesor Bektashi.

Ndërkaq, eksperti për çështje ekonomike, Safet Merovci, thotë se në Kosovë gjatë këtyre 10 vjetëve nuk ka mundur të zhvillohet një ekonomi e qëndrueshme. Ai shprehet i bindur se gjatë kësaj periudhe ka mundur të bëhet shumë më shumë në aspektin ekonomik.

“Po ta krahasojmë Kosovën me vendet tjera, të cilat e kanë kaluar fazën e tranzicionit, mund të themi se Kosova ka pasur një stagnim ekonomik. Kosova nuk ka arritur të ketë reforma ekonomike, megjithatë reformat kërkojnë një infrastrukturë të shekulli 21, e cila mungon në Kosovë”, deklaron zoti Merovci.

Përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve thuhet të mbetet një nga sfidat më të mëdha për mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG