Ndërlidhjet

Çfarë do Serbia me Kosovën?


Ndërtesa e Qeverisë së Serbisë
Ndërtesa e Qeverisë së Serbisë

A është qëndrimi i prerë i Serbisë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën marketing politik, mbyllje e syve para realitetit, apo bindje e sinqertë se Serbia mund ta kthejë territorin e humbur?


Pothuaj të gjithë politikanët në Serbi, me përjashtim të një partie të vogël, e përsërisin fjalinë “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën”. Kjo është dëgjuar shumë herë nga zyrtarët më të lartë në Beograd.

Presidenti serb, Boris Tadiq, e ka thënë këtë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në shkurt të vitit 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë.

“Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ne kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova, Kosova gjithmonë do të mbetet Serbi”, tha Tadiq.

A thua pas këtij qëndrimi politik, për të cilin ka unitet, qëndron ndonjë ide konkrete politike se çka të bëhet me Kosovën, ose është në pyetje pragmatizmi politik: ai që do ta njihte Kosovën, do t’i humbiste mundësitë në skenën politike të Serbisë, ose ndoshta fjala është për bindje të sinqerta politike se Kosova nuk mund të humbet.

Historiani Nikolla Samarxhiq pohon:

Mendoj se sot politikisht është më profitabile dhe më e përshtatshme që të jepen deklarata si ato të Tadiqit, se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën”.

Zharko Puhovski, profesor i Universitetit të Zagrebit dhe njohës i mirë i rrethanave në rajon, thotë se ka dy arsye për sjelljen e këtillë të autoriteteve serbe. E para është humbja e votuesve, e jo ndonjë plan politik.

Sipas meje, këtu nuk ka program, por bëhet fjalë për vlerat simbolike politike, kurse te vlerat simbolike politike kompromiset janë të pamundura”, thotë ai.

Arsyeja e dytë, thotë Puhovski, është pritja e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Fjala është për atë që nuk arriti ta bëjë as Gjermania Perëndimore me të ashtuquajturën Doktrinë e Halshtajnit, e cila i diktonte marrëdhëniet me vendet që kishin njohur Gjermaninë Lindore. Edhe Serbia është në situatë që nuk do të mund t’i imponohet askujt, dhe me kohë, vendet e ndryshme do ta njohin realitetin në Kosovë”, thotë Puhovski.

Svetlana Slapshak, profesoreshë nga Lubjana, shkaqet e qëndrimit të ngurtë të Serbisë ndaj Kosovës i sheh diku tjetër.

“Kjo është një politikë e ngurtë dhe e marrë dhe është diçka me të cilën nuk mund të ballafaqohen serbët si një popull, i cili i dëgjon politikanët e vet. Çështja është se Serbia ndaj Kosovës është një fuqi kolonialiste”, pohon Slapshak.
XS
SM
MD
LG