Ndërlidhjet

“Te kutitë më 15 nëntor”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Presidenti Fatmir Sejdiu ka caktuar 15 nëntorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, të parat këto pas shpalljes së pavarësisë. “Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 4, pika 1, 2 dhe 3, të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh konsultimet e zhvilluara me të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës merr këtë vendim: 1. Zgjedhjet e ardhshme lokale në Republikën e Kosovës mbahen më 15 nëntor 2009...”, thuhet në vendimin e presidentit Sejdiu. Vendimi i kreut të vendit vjen pas dy konsultave të përbashkëta që ai ka realizuar me të gjitha partitë politike, si dhe pas takimeve veç e veç me kryetarët dhe përfaqësuesit e partive politike...

EXPRESS
E diela e tretë e nëntorit është dita kur kosovarët do t’u drejtohen kutive të votimit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka vënë kapakun “parashikimeve të motit” duke vendosur për 15 nëntorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet e para në shtetin e Kosovës... Në vendimin për zgjedhjet ai ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme” për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim... Me vendimin e tij, presidenti Sejdiu ka përmbysur një kërkesë të opozitës të nënshkruar nga gjatë subjekte politike që zgjedhjet të mbahen gjatë mesit të tetorit. Sejdiu të martën ka thënë se nuk ka pasur mundësi ligjore që ta përfillë kërkesën e opozitës...

ZËRI
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë dje për “Zërin” se vendimi i presidentit Sejdiu për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale është i vonuar dhe është një anashkalim i vullnetit politik të partive opozitare. “Ne si AAK këtë vendim të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, që zgjedhjet lokale të mbahen më 15 nëntor e vlerësojmë si të vonuar...”, ka thënë ai... Ndërsa, Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, ka thënë dje se me këtë vendim presidenti i Kosovës ka anashkaluar jo vetëm partitë politike opozitare, por ka anashkaluar edhe vetë qytetarët e Kosovës. “Lajmi i mirë është që zgjedhjet do të mbahen këtë vit, mirëpo me këtë vendim është anashkaluar totalisht opozita”, ka thënë ai, duke rikujtuar se shumica e partive opozitare kanë qenë për mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën e dytë të muajit tetor...

BOTA SOT
Ndarja e dy nga tri komisioneve të reja parlamentare ka rikthyer ethet e luftës për fuqi. Derisa AAK-ja është rehatuar me marrjen e Komisionit për kontrollin financiar, dy partitë në koalicion, PDK-ja e LDK-ja, ende nuk janë marrë vesh se cila do ta kryesojë, megjithëse në LDK mendojnë se asaj i takon kryesimi. Ndërsa, LDD-ja ka mosmarrëveshje brenda grupit të saj parlamentar, pasi shumica e anëtarëve e kanë refuzuar propozimin e z. Nexhat Daci, që ai komision të kryesohet nga Lulzim Zeneli, i cili kryeson aktualisht Komisionin Kuvendar për Bujqësi. Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një rregulloreje të re që e ka përgatitur, por ende nuk është miratuar, ka vendosur që të formojë këto tri komisione kuvendare, atë për kontrollin e FSK-së, të Agjencisë së Inteligjencës dhe kontrollin e Financave Publike...

EPOKA E RE
Presidenti Marti Ahtisari ka thënë se pas pavarësimit të Kosovës, të gjithë duhet të përqendrohen që shteti më i ri në botë të zhvillohet dhe të forcohet ekonomikisht. “Kosova është shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë, por të gjithë duhet të angazhoheni për zhvillimin ekonomik. Kur kjo të arrihet, të gjitha gjërat do të bien në vendin e vet”, ka deklaruar presidenti Ahtisari. Këto komente presidenti Ahtisari i ka bërë të martën gjatë një debati në Prishtinë, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe Klubi për Politikë të Jashtme. Ahtisari ka theksuar se Kosovës i është hapur rruga për zhvillim ekonomik pas anëtarësimit në dy organizatat më të rëndësishme financiare. “Deri më tani gjërat kanë shkuar mirë dhe besoj se Kosova do të ecë edhe më sigurt, pasi tashmë është bërë anëtare e FMN-së dhe e Bankës Botërore”, është shprehur ai...

LAJM
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi tashmë e kanë në duar raportin konfidencial të Komisionit parlamentar për punë të jashtme me rezultatet e poentuara për secilin kandidat pretendent për ambasador. Në fakt, Komisioni parlamentar, të premten që shkoi, i ka dorëzuar Sejdiut, Thaçit dhe ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, raportin me vlerësime dhe preferenca për secilin kandidat, pas mbajtjes së seancave të mbyllura dëgjimore me 51 konkurrentët për ambasadorë të Kosovës në 18 misione diplomatike... “Presidenti Sejdiu e ka marr raportin e Komisionit të Kuvendit me vlerësimet për kandidatët e intervistuar, po e analizon atë dhe pritet që shumë shpejt të bëjë emërimin e ambasadorëve, në bashkëpunim me kryeministrin. Por, sigurisht që emërimi merr kohë, pasi për këtë nevojitet edhe pëlqimi nga vendi nikoqir. Mundet që deri në vjeshtë të mos bëhet emërimi definitiv”, tha për “Lajm” zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri...

KOHA DITORE
Në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dedikuar misionit të UNMIK-ut, shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, do të prezantojë të arriturat e vendit në konsolidimin e sovranitetit, derisa homologu i tij serb, Vuk Jeremiq, do të kërkojë ndaljen e presionit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë qëndrimi i shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili është në finalizim të deklaratës, që do ta paraqesë para ambasadorëve të shteteve anëtare të këtij trupi të lartë. Megjithatë, pritjet janë që ky takim, pas zhvillimit të debatit, të përfundojë pa ndonjë aksion konkret. “Institucionet e Republikës së Kosovës kanë lajme të mira për të transmetuar në Nju Jork. Gjatë tre muajve të kaluar nga raportimi i fundit, Kosova ka vazhduar të ngrejë kapacitetin institucional dhe shtetëror dhe ka fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar me anëtarësim në BB dhe FMN, dhe me njohje të reja”, ka thënë zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku...

INFOPRESS
Po të pyeteshin të gjithë deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, shumica prej tyre do të thoshin se që tani duhet t’u hiqet mbulesa tri pikturave në hollin e Kuvendit. Por, kjo duket se vështirë do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Ato përmbajnë elemente të historisë së shqiptarëve dhe atëherë ishin mbuluar me kërkesën e serbëve dhe faktorit ndërkombëtar... Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se megjithatë më mirë është kështu njëherë për njëherë. “Ne legjislatura e tanishme as nuk i kemi vendosur, as pikturuar. Ashtu i kemi gjetur dhe kështu do të mbesin. Besoj që mirë është njëherë. Të shohim në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi për gazetën. Pikturat në fjalë janë vendosur në Kuvend në vitin 2004, kur Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit, ndërkaq jo shumë pak ditë më pas janë mbuluar, pas reagimit të deputetëve serbë dhe kërkesës së UNMIK-ut...
XS
SM
MD
LG