Ndërlidhjet

Ficxherald: Reduktimi i KFOR-it, varësisht nga situata


Admirali Mark Ficxherald, gjatë konferencës për gazetarë në selinë e KFOR-it në Prishtinë, 17 qershor '09.
Admirali Mark Ficxherald, gjatë konferencës për gazetarë në selinë e KFOR-it në Prishtinë, 17 qershor '09.

"Reduktimi i mëtejmë i trupave do të ndodhë varësisht prej situatës dhe drejtimit politik, brenda 12-14 muajve të ardhshëm", tha komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald.


Në vitin 2012, në Kosovë mund të mbesin vetëm 2,500 trupa të KFOR-it nga 14,000 sa gjenden tani. Zvogëlimi i trupave, nga përfaqësues të lartë të NATO-s është vlerësuar si një kalim i misionit në një fazë që është quajtur “Prania parandaluese”.

Ka qenë vetë komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, ai që në një konferencë për gazetarë në Prishtinë, i bëri të ditura planet për shkurtim.

“NATO-ja vazhdon vlerësimin e niveleve të forcës së vet për të gjitha operacionet. Për Kosovën, vlerësimi formal solli konkluzionin se me përmirësimin e gjendjes së sigurisë, KFOR-i, në mënyrë të arsyetueshme, mund të bëjë reduktim gradual dhe nëpër faza të numrit të trupave”.

“Javën e kaluar, ministrat e mbrojtjes të NATO-s e përkrahën këtë qëndrim me paralajmërim se procesi do të autorizohet nga Këshilli i Atlantikut të Veriut”,
tha Ficxherald, duke shtuar se është parashikuar që zvogëlimi i numrit të trupave në 10,000, mund të arrihet deri nga fillimi i janarit të 2010-ës.

“Reduktimi i mëtejmë i trupave do të ndodhë varësisht prej situatës dhe drejtimit politik, brenda 12-24 muajve të ardhshëm, duke u reduktuar kështu trupat ushtarake të NATO-s deri në rreth 2,500”,
tha admirali Ficxherald.

Reduktimit të KFOR-it, sipas përfaqësuesit ushtarak të NATO-s, i ka kontribuar forcimi i institucioneve të Kosovës.

“Ajo që ne besojmë, është se siguria mund të ruhet përmes policisë, përmes institucioneve të Kosovës dhe tash është koha që t’i zvogëlojmë trupat tona, sepse ne duam të stimulojmë zhvillimin ekonomik këtu dhe kjo është vështirë të bëhet me prani të madhe të trupave ushtarake”,
u shpreh Ficxherlad, duke siguruar se e tërë kjo periudhë e shkurtimit të trupave nuk do të ketë implikime në sigurinë e vendit.

Paqeruajtësit e KFOR-it
“Gjatë kësaj periudhe, prania e KFOR-it do të vazhdojë të jetë e duhur dhe e fortë, duke mbajtur edhe më tej në vend, mbi horizont, forcat e afta për t’iu përgjigjur kërcënimeve ndaj mjedisit të qetë dhe të sigurt”,
u shpreh admirali Ficxherlad.

Ai ka mohuar se ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë një zëvendësim i KFOR-it.

“FSK i kontribuon sigurisë së përgjithshme në Kosovë, por qartazi nuk na zëvendësojnë neve, sepse kanë mandat tjetër, jo ushtarak. Nuk do t’i transferojmë përgjegjësitë te ta”,
u shpreh Ficxherald.

Përfaqësuesi i lartë i NATO-s ka siguruar se nuk do të ketë tërheqje të njëanshme të vendeve që kontribuojnë në misionin e KFOR-it, duke thënë se ashtu siç kanë hyrë bashkë, ashtu edhe do të dalin nga Kosova bashkë.

Në qershorin e vitit 1999, KFOR-i kishte 50 mijë trupa në Kosovë. Kjo prani është zvogëluar me kohë, varësisht nga përmirësimi i situatës së sigurisë. Aktualisht, sipas përfaqësuesit të lartë të NATO-s, sfidat e sigurisë në Kosovë janë të natyrës ekonomike dhe kriminale.
XS
SM
MD
LG