Ndërlidhjet

Të dhëna të ndryshme për të zhvendosurit


Kampi i refugjatëve në Mitrovicë
Kampi i refugjatëve në Mitrovicë

Edhe këtë vit, 20 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, Kosova e pret me numër të madh të të zhvendosurve si dhe refugjatëve. Ministria e Kthimit dhe UNHCR nuk pajtohen rreth numrit të refugjatëve.


Janë 200 mijë apo më pak refugjatë që gjenden në vendet fqinje? Kjo shifër vazhdon të jepet nga Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara.

“Sipas shifrave zyrtare, janë rreth 200 mijë persona që janë të zhvendosur dhe të cilët aktualisht janë në Serbi, në Malin e Zi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, thotë Shpend Halili, zyrtar për informim i UNHCR-së në Kosovë.

Por, kjo shifër hidhet poshtë nga Ministria e Kthimit. Zëvendësministri Ismet Hashani thotë se shifra prej 200 mijë vetash duhet t’i përfshijë edhe të zhvendosurit brendapërbrenda Kosovës.

“Shifrat në Republikën e Serbisë janë të manipuluara, sepse ju e dini se gjithmonë thuhet se janë rreth 200 mijë, ndërkohë që në regjistrimin e vitit 1981 nuk ka pasur 185 mijë serbë. Për ne këto nuk janë të sakta. Por, kryesisht afër 200 mijë gjenden të zhvendosur jashtë Kosovës, por këtu duhet theksuar se të zhvendosur duhet të trajtohen edhe qytetarët nga pjesa veriore dhe jugore, që ende nuk kanë mundur të kthehen”,
shprehet Hashani.

Por, zyrtarë nga UNHCR-ja këmbëngulin në këtë shifër. Pavarësisht shifrave të ndryshme, agjencia e Kombeve te Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës kanë një gjë të përbashkët. Të dyja palët theksojnë nevojën e kthimit të qëndrueshëm të refugjatëve.

“Kthimi dhe riintegrimi janë çështje me rëndësi të madhe për rajonin”,
citohet të ketë thënë Herman Sturuold, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë, duke premtuar ndihmë në fusha të ndryshme në këtë proces.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të organizatave të ndryshme, brenda Kosovës gjenden rreth 15-20 mijë të zhvendosur dhe refugjatë. Në Kosovë gjenden më shumë se 17 qendra kolektive me më shumë se 1 mijë të zhvendosur, të cilët i ndihmon Komisariati për Refugjatë i Serbisë, si dhe 7 qendra, të cilat nuk janë nën këtë rrjet.

Dragan Veliq, koordinator i Komisariatit për Refugjatë i Republikës së Serbisë me seli në Kosovë, thotë se të të zhvendosurve u ofrohet banimi dhe ushqimi. Ai thekson se si nuk ka pasur rezultate në procesin e kthimit në 10 vjetët e fundit dhe që lëvizjet politike, e posaçërisht pavarësia e Kosovës, ka përcaktuar në një formë drejtimin.

“Duke marrë parasysh mungesën e mbrojtjes institucionale dhe problemin politik të shpalljes së pavarësisë, mungesën e mjeteve financiare - këto kanë ndikuar në vetë procesin e kthimit, sikurse edhe pas shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme”, tha Veliq.

Ai thotë se është e domosdoshme që me kthim edhe më tutje të merren Kombet e Bashkuara dhe thekson se nga kjo edhe do të varet suksesi i këtij procesi.

“Nxitja e numrit më të madh të të kthyerve potencialë varet nga procesi politik, siguria, decentralizimi dhe mbrojtja institucionale. Natyrisht, segment i rëndësishëm janë edhe parametrat ekonomikë, që në këtë rast janë shumë të vegjël, sepse mjetet për kthim nga ana e donatorëve dhe e organizatave ndërkombëtare janë shumë të vogla”,
u shpreh Veliq.

Mungesa e fondeve të mjaftueshme financiare vazhdimisht është përmendur si faktor që ka ndikuar negativisht në kthimin e të zhvendosurve. Ndërkohë, një problem tjetër është edhe riintegrimi. Ministri i Kthimit, Sasha Rashiq, ka thënë disa herë se ky proces është më i vështirë sesa vetë kthimi.
XS
SM
MD
LG