Ndërlidhjet

Biserko: Serbia frenon normalizimin e rajonit


Sonja Biserko
Sonja Biserko

“Serbia dhe Beogradi tash janë frenuesit e normalizimit esencial të të gjitha marrëdhënieve në rajon, me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Sonja Biserko.



Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkut për të drejtat e njeriut në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko, ju, tash e një kohë të gjatë, merreni me të drejtat e njeriut. Si do ta vlerësonit gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë?

SONJA BISERKO
Procesi i realizimit të Kosovës së pavarur tashmë është pas nesh. Kosova si shtet i pavarur ekziston tashmë një vjet dhe mendoj se në atë periudhë ka ardhur deri te një relaksim i bashkësisë shqiptare të Kosovës dhe kjo ka kontribuar edhe në relaksimin e pakicave në Kosovë.

Kjo, para së gjithash, shihet në kuptimin e perceptimit të pakicës serbe, e cila ndjehet, të them, më e lirë, lëviz pa frikë në Kosovë dhe mendoj se ky është një përparim i rëndësishëm në aspektin psikologjik.

Natyrisht, mbetet çështja se kur dhe si do të integrohet bashkësia serbe e Kosovës në institucionet e Kosovës, sepse me këtë krijohet supozimi për një pozicionim shumë më të mirë për realizimin e të drejtave të tyre.

Kështu siç është tani, disi po shtrohen disa kërkesa, ndërkaq që kjo nuk po bëhet përmes institucioneve, të cilat u janë të hapura.

Për t’u zgjidhur çështjet e pakicave në Kosovë dhe për t’u trajtuar në mënyrë adekuate të drejtat e tyre, është e nevojshme që ato të bëhen pjesë e shoqërisë kosovare dhe në këtë kuptim t’i shfrytëzojnë institucionet, të cilat i kanë në dispozicion.

RADIO EVROPA E LIRË
Të shumtën e rasteve flitet për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë. Në përputhshmëri me këtë, pak kohë më parë ju keni bërë një hulumtim. Cilat janë rezultatet që flasin?

SONJA BISERKO
Hulumtimi ynë ka pasur të bëjë me serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër. Do të thotë, ai nuk i përfshin serbët e veriut dhe ne kemi qenë të fokusuar në serbët në jug, për shkak se ata nuk janë në fokus të Beogradit dhe në një mënyrë janë të margjinalizuar.

I kemi kaluar shtatë-tetë muaj në ato enklava dhe kemi shkruar një raport, në bazë të të cilit, para së gjithash, mund të shihet se serbët në enklava janë thjesht në margjinat e shoqërisë, për shkak se në njërën anë nuk janë të integruar në shoqërinë kosovare dhe në anën tjetër janë krejtësisht të lënë pas dore nga Beogradi.

Problemi i tyre themelor është papunësia, gjë që është problem edhe për bashkësinë shqiptare. Por, vetë fakti se serbët janë pakicë dhe se për një kohë të gjatë kanë qenë pakicë e privilegjuar në Kosovë, problemet e tyre janë të dukshme më tepër.

Pastaj, ata kanë potencuar se nuk po punohet mjaftueshëm për një mbijetesë të qëndrueshme dhe thelbësore të tyre në Kosovë.

Dua të them se është e nevojshme të zgjidhen problemet e tyre ekzistenciale në mënyrë afatgjate, që do të thotë hapja e vendeve të punës, ku do të angazhohej gjenerata e re, sepse të rinjve, kur u vjen koha për arsimim, për shkolla të mesme dhe të larta, ata shkojnë në Serbi dhe kryesisht nuk kthehen më.

Do të thotë, për një mbijetesë të qëndrueshme të bashkësisë serbe në Kosovë, thjesht është i nevojshëm integrimi i këtyre të rinjve përmes shkollimit dhe më vonë edhe punësimit të tyre në shoqërinë kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Beogradit në zhvillimet momentale në Kosovë?

SONJA BISERKO
Mund të them se kjo qeveri, megjithatë, ndryshe është duke u sjellë në krahasim me atë parapraken, e cila ka qenë mjaft agresive dhe e pranishme në të gjitha enklavat. Madje, edhe sot ata e realizojnë praninë e tyre në veriun e Kosovës, para së gjithash në Mitrovicë.

Do të thotë, kjo qeveri i ka ndërruar të gjitha ato struktura, sidomos ato që kanë qenë në strukturat paralele, por nuk ka bërë mjaftueshëm në kuptimin e porosisë për serbët në Kosovë, që t’i kthehen Prishtinës si kryeqytet, si vend ku janë institucionet, të cilave do të duhej t’u drejtohen si një qendre përmes së cilës mund t’i realizojnë të drejtat e veta.

Dhe, para së gjithash, nuk u është dhënë shenja se duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe të integrohen në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Ky është problem që ende vazhdon të mbetet problem për serbët në Kosovë, duke marrë parasysh që ende janë të kthyer nga Beogradi dhe presin se çfarë do të thotë ai. Në anë tjetër, Qeveria e Tadiqit, deri më tash, nuk ka thënë as po e as jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, zonja Biserko, çfarë mendoni se janë gjasat për ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore të mira në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh përpjekjet e të dyja shteteve për integrimin evropian?

SONJA BISERKO
Unë mendoj se, para së gjithash, momentalisht kjo varet nga Serbia, për shkak se ajo nuk e ka tërhequr vijën, nuk e ka bërë bilancin e asaj që ka ndodhur dhe në të vërtetë ende nuk e ka profilizuar politikën e saj lidhur me atë se çfarë dëshiron.

Nuk e ka profilizuar orientimin e saj strategjik drejt Evropës, por disi më tepër është duke u sjellë në përputhje me situatën që imponohet, pak këtu e pak atje. Dhe, kjo më tepër është e imponuar nga gjendja ekonomike e padëshiruar, se që është nga ndonjë orientim thelbësor i menduar.

Në këtë kuptim, Serbia dhe Beogradi tash janë frenuesit e normalizimit esencial të të gjitha marrëdhënieve në rajon, me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën.

Natyrisht, situatat më të rënda janë me Bosnjën dhe Kosovën, duke pasur parasysh që disa pjesë të elitës serbe ende kanë pretendime dhe aspirata ndaj Bosnjës dhe Kosovës.

Do të thotë, në këtë moment, para së gjithash, vendimi mbetet te Beogradi, gjegjësisht te nisma e Beogradit që t’u kthehet fqinjëve në një mënyrë konstruktive dhe në këtë kuptim të japë kontribut për normalizimin e marrëdhënieve në gjithë rajonin e po ashtu edhe ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG