Ndërlidhjet

Obama: Dhunë fyese ndaj protestuesve në Iran


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka vlerësuar si "fyese" dhe "të papranueshme" dhunën ndaj demonstruesve që protestuan kundër zgjedhjeve presidenciale në Iran.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kancelaren gjermane Angela Merkel, Obama tha se ata kanë folur me një zë për Iranin, dhe e lëvdoi guximin e protestuesve iranianë.

"E drejta e popullit iranian për t’u tubuar, për të biseduar lirisht, për t’i bërë zërat e tyre që të dëgjohen janë aspirata universale," tha Obama.

"Trimëria e tyre në faqen e brutalitetit është një testament i përjetshëm për ndjekjen e drejtësisë. Dhuna ndaj tyre është fyese", tha presidenti amerikan.

Obama këto komente i bëri pasi shtetet e G8 bënë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të dhunës dhe u kërkuan autoriteteve të Iranit që të sigurojnë se rezultati i zgjedhjeve të pasqyronte vullnetin e popullit.

Por në Teheran, një klerik i lartë, Ahmad Khatami, ka bërë thirrje për ekzekutimin e udhëheqësve të trazirave, duke thënë se ata duhet të dënohen pa mëshirë.

Këshilli i Rojeve në Iran tha se nuk kishte gjetur asnjë shkelje të madhe në zgjedhjet e 12 qershorit, duke e quajtur zgjedhjet “më të shëndetshmet” që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Mediat shtetërore kanë raportuar për rreth 20 të vdekur në rrugë gjatë protestave masive të kohëve të fundit në lidhje me akuzat për manipulime masive në zgjedhjet në favor të presidentit Mahmud Ahmedinexhad.
XS
SM
MD
LG