Ndërlidhjet

“Shqipëria kalon testin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Shqipëria ka zhvilluar të dielën zgjedhjet më demokratike që prej vitit 1990. Madje, si asnjëherë më parë në 20 vjet, që prej rënies së komunizmit, partitë politike kanë pasur qëndrime të njëjta dhe janë treguar të matura ndaj njëra-tjetrës. Pjesëmarrja e votuesve, sipas rezultateve preliminare, është 46%, nga numri i përgjithshëm prej 3.1 milionë qytetarësh me të drejtë vote. Gjatë ditës janë shënuar disa incidente të vogla, por, sipas vlerësimit të përgjithshëm, nuk kanë ndikuar në prishjen e përshtypjes se ka pasur zgjedhje të mira dhe se kanë ndikuar në rezultatin final. Në anën tjetër, tri organizata “IPR”, “Gani Bobi” dhe “Zogby”, që kanë kryer sondazhe gjatë procesit votues, kanë nxjerrë fituese Partinë Demokratike kundrejt Partisë Socialiste me një diferencë rreth 10%....

KOSOVA SOT
Sondazhet e bëra menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit dëshmuan për një fitore të koalicionit të djathtë në Shqipëri. Por, ky nuk është lajmi më mi mirë për shqiptarët. Kryesori është që zgjedhjet e sivjetshme ishin, padyshim, më të qetat, më të besueshmet dhe më transparentet që janë mbajtur prej rënies së komunizmit. Kjo është një garanci se as rezultati, cilido qoftë ai, pavarësisht se kë e nxjerr humbës apo fitues, nuk do të kontestohet. Shqipëria është një hap më afër Evropës me këtë proces të suksesshëm zgjedhor dhe ka fituar besimin e BE-së, pasi dëshmoi këtë të diel se i ka kapacitetet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Deklarimet e menjëhershme, pas përfundimit të votimit, e konfirmojnë më së miri këtë...

EXPRESS
Shqipëria duket se arriti të kalojë testin e rëndësishëm të zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të dielën, duke i dhënë kështu fund një fati të keq që e kishte përcjellë atë dy dekadat e fundit. Asnjë incident serioz nuk u shënua gjatë gjashtëmbëdhjetë orëve të fundit, derisa liderët kryesorë të vendit u sollën si burrështetas, e jo si militantë partiakë, siç bënin viteve të shkuara. Qytetarët iu përgjigjen masivisht thirrjes për të dalë në zgjedhje. KQZ tha se votuan mbi 50 për qind e trupit elektoral. Kështu, shqiptarët, me vepra, dëshmuan se janë të gatshëm t’i bashkohen familjes evropiane. Kjo duket të jetë gjëja më e rëndësishme për Tiranën. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të 28 Qershorit pritet të shpallën të hënën në mbrëmje... Sondazhet e Tv Klan, Top Channel dhe ORA Neës, tregojnë se Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha ka fituar kundrejt Partisë Socialiste që udhëhiqet nga kryebashkiaku i kryeqytetit, Edi Rama. Madje, shumë thellë...

ZËRI
Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në tërë shtetin, pra pak minuta pas orës 19:00, si kryeministri i Shqipërisë, i cili në të njëjtën kohë është edhe lider i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ai i Partisë Socialiste, Edi Rama, kanë mbajtur nga një konferencë me medie, ku janë treguar shumë të matur, duke përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Duke i vlerësuar komisionarët për menaxhimin e zgjedhjeve, Berisha thekson se tani nis një punë e vështirë për numërimin e votave, të cilat do të transportohen nga forcat policore prej zonave më të thella në qendrat kryesore. “Kam besim te policia e shtetit. Në fushatë ka pasur zero implikim të forcave të rendit në procesin elektoral...”, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se numërimi do të jetë më transparenti dhe më moderni që është bërë ndonjëherë... Edhe kryesocialisti Edi Rama, ka mbajtur një konferencë me medie, ku ka thënë se me këto zgjedhje fitoi Shqipëria evropiane...

BOTA SOT
Në Kosovë nuk ka demokraci të mirëfilltë dhe liri të shprehjes, është konkluzioni i konferencës LISEEN-it, tha të dielën kryetari i AKR-së. Behgjet Pacolli, i cili mbajtjen e kësaj konference në organizim të partisë së tij e quajti të suksesshme. Pacolli tha se AKR-ja është krenare, që i është besuar një organizim i tillë, që ka rezultuar edhe me nxjerrjen e disa konkluzioneve të rëndësishme, përveç tjerash ai për hapjen e kufijve, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. “Kjo konferencë nuk do të kalojë pa i lënë gjurmët e veta, konkluzionet e kësaj konference do të diskutohen edhe më tutje. Si konkluzion i nxjerrë në këtë konferencë është demolimi i kufijve, që do të garantonte lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit në këtë rajon. Kur jemi te mallrat e dimë që lëvizja e mallrave është e vështirë për shkak të ashtuquajturës certifikatë e origjinës dhe do te kërkojmë që edhe kjo certifikatë të bisedohet, që të mos këtë nevojë për këtë”, tha Pacolli...

EPOKA E RE
Privatizimi i tri kompanive më profitabile për buxhetin e Kosovës konsiderohet hap i ngutshëm nga ekspertët e ekonomisë dhe opozita. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se janë vonuar në privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, e një pjese të Korporatës Energjetike të Kosovës, si dhe futjen e koncesionimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. “Buxheti i Kosovës çdo vit KEK-ut i jep mbi 100 milionë euro. kjo është e patolerueshme. Për të ndryshuar këtë trend, e vetmja rrugë është që sektori privat të futet në këto ndërmarrje me investimet e veta”, ka theksuar ministri Shala, duke shtuar se qytetarët dhe Kosova do të jenë pjesë të aksioneve në të gjitha ndërmarrjet publike. Berim Ramosaj, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, e vlerëson krejt të paarsyeshme privatizimin e PTK-së dhe ANP-së, për shkak të përfitimeve që ka Kosova në këto dy kompani...

LAJM
Përcaktimi i kandidatëve që do ët garojnë për kryetarë komunash është sfida më e madhe, me të cilën pritet të ballafaqohen partitë para fillimit të fushatës zgjedhore. Me përjashtim të AAK-së, e cila tashmë e ka zyrtarizuar gjysmën e kandidatëve për kryetarë komunash, partitë e tjera po bëjnë kalkulime të brendshme në kërkim të njerëzve që do të mund t’u sigurojnë sa më shumë vota nëpër lokalitete. Në KQZ thonë se data e fundit për dorëzimin e emrave të kandidatëve është 60 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale, pra 15 shtatori. Zëdhënësi i saj, Fehmi Ajvazi, tha se pas kësaj date nuk do të merret në konsideratë asnjë aplikim. “Secili aplikim duhet të shoqërohet me dokumentacionin e kërkuar në bazë të ligjit zgjedhor. E njëjta gjë vlen për të gjithë kandidatët për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale”...

KOHA DITORE
Nëntë muaj pas njohjes së Republikës së Kosovës nga dy shtetet fqinjë, Maqedonia dhe Mali i Zi, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me këto shtete mbetet ende pezull. Në takimin e fundit ët presidentëve të rajonit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe ai malazias, Filip Vujanoviq, akne shprehur vullnetin e tyre politik se kjo do të ndodhë, por asnjëri nga ta nuk ka mundur të japë një afat kohor. Telashet me “procedurat formale” kanë qenë disa nga arsyetimet zyrtare që i kanë dhënë krerët e këtyre shteteve. Ndonëse fillimisht përfundimi i kontestit kufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë ishte shprehur si parakusht për shkëmbimin e diplomatëve nga të dyja vendet, kjo çështje më nuk shihet problem...
XS
SM
MD
LG