Ndërlidhjet

Tiranë: PD, PS shkëmbyen polemika


Në pritje të numërimit të të gjitha kutive të votimit nga zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, politikanët e dy partive më të mëdha kanë shkëmbyer polemika.

Majlinda Bregu, nga Partia Demokratike, tha se kjo parti ka fituar 71 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë.

“Aleanca jonë do ta qeverisë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme”, tha Majlinda Bregu dhe kërkoi që “administrata zgjedhore ta përfundoj punën e saj për të konfirmuar zyrtarisht” fitoren e PD-së.

Menjëherë pas kësaj deklarate, socialistët thanë se demokratët po bënin vjedhje të mandateve.

“Pretendimi i tyre për fitore është pjesë e planit për vjedhje të fitores sonë. Ata nuk i kanë 71 mandate dhe disa mandate tona, po i kalkulojnë si të tyre”, tha Ditmir Bushati nga Partia Socialiste.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se sipas sistemit rajonal proporcional, që zbatohet për të parën herë, të gjitha rezultatet duhet të dihen para se të llogaritet rezultati përfundimtar.

Në disa qendra të votimeve, numërimi i votave është ndërprerë, pjesërisht për shkak të mospajtimeve rreth çështjeve procedurale.

Aktualisht rezultatet e zgjedhjeve janë jashtëzakonisht të ngushta dhe pritet shpallja komplete dhe përfundimtare nga autoritetet zgjedhore.
XS
SM
MD
LG