Ndërlidhjet

Londra propozon tërheqjen e ambasadorëve të BE-së nga Teherani


Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje ambasadorëve të Iranit në 27 shtetet anëtare të këtij mekanizmi të protestojnë kundër arrestimit të stafit lokal të ambasadës britanike në Teheran.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, tha se Britania ka propozuar tërheqjen e të gjithë ambasadorëve të BE-së nga Teherani, porse Bashkimi Evropian ka vendosur për një përshkallëzim gradual të presionit.

Vendimi për t’u bërë thirrje ambasadorëve erdhi pasi kreu i Këshillit të Rojeve në Iran, Ahmad Xhanati, njoftoi se do të gjykohen disa nga anëtarët e stafit lokal të ambasadës britanike në Teheran, të arrestuar për shkak të dyshimeve për përfshirjen në protestat paszgjedhore në Iran.

Xhanati ka thënë se ambasada e Britanisë “ka qenë e përfshirë” gjatë trazirave dhe se anëtarët e arrestuar të stafit “kanë pranuar këtë gjë”.

Britania ka thënë se është “e shqetësuar” dhe ka kërkuar qartësi në lidhje me raportet, sipas të cilave, stafi lokal i ambasadës britanike në Teheran do të përballet me një gjykim.

Qeveria e Britanisë, më parë, bëri të ditur se janë liruar 7 nga 9 punëtorët e stafit lokal të ambasadës në Teheran.
XS
SM
MD
LG