Ndërlidhjet

Problemet në sistemin shëndetësor


Sistemi shëndetësor në Kosovë përballet me probleme të shumta. Pacientët ankohen për shërbime jocilësore dhe mungesë të barnave, përderisa personeli mjekësor thotë se përkundër vështirësive, kujdesi është në nivel të duhur.

Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta. Pacientët, të cilët kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në qendrat e mjekësisë familjare, japin mendime të kundërta për shërbimet.

Bedri Hajzeri ka vetëm një javë që është operuar në Qendrën Universitare. Ai thotë se ka përshtypje të mira rreth interesimit të personelit mjekësor ndaj pacientëve, megjithatë, shton ai, ka ende nevojë për përmirësime të tjera.

“Kushtet janë mesatare, ushqimi nuk mund të them se është i nivelit të kërkesave të pacientëve, varësisht nga natyra e sëmundjeve të tyre. Është një ushqim i përgatitur për të gjithë”, thotë zoti Hajzeri.

Pacienti tjetër, Hasan Rafuna, pasi ishte kontrolluar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se me gjithë përpjekjet e mjekëve, shërbimet ende nuk janë në nivelin e duhur. Ndërkaq, mungesa e barnave, sipas tij, vazhdimisht është prezente.

“Mund të jetë një përmirësim më adekuat pak, por deri diku jemi të kënaqur, sepse i kryejnë shërbimet aq sa kanë mundësi. Shërbimet mundohen t’i kryejnë, por barna nuk kanë. Kështu që ministria duhet të ndërmarrë diçka më tepër në shëndetësi, që të kemi një përkrahje”, shprehet zoti Rafuna.

Por, Kremtim Berisha pohon se sistemi shëndetësor në Kosovë është shumë i dobët. Sipas tij, punëtorëve shëndetësorë nuk u pengojnë aspak radhët e gjata të pacientëve.

“Kam qenë në shtëpinë e shëndetit, në ora 9:30. Më kanë bërë nervoz, pasi në ora 8:00 fillon puna, ndërkaq në 9:30 pinë kafe”, thotë ai.

Edhe Hamdi Cakiqi shprehet i pakënaqur me sistemin dhe shërbimet shëndetësore, të cilat ofrohen në spitalet e Kosovës, duke i cilësuar ato si të mjerueshme. Nëse dëshiron të kesh një përkujdesje të duhur, atëherë duhet të japësh mito, thotë ai.

“Pas luftës, katastrofë është mjekimi dhe ndihmat sociale. Mjekët, nëse ke para të madhe, të kontrollojnë; nëse nuk ke, ligsht. Privat – duhet pasur para, se privat më mirë”, thotë zoti Cakiqi.

Ndërsa, Ali Sopjani, duke pritur në radhë për t’u kontrolluar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, thotë se është i kënaqur me shërbimet shëndetësore, por si problem ai pohon mungesën e barnave.

“Nuk kam vërejtje në kurrgjë në ta. Atë çka e dinë, mundohen. Por, barnat janë shtrenjtë”, pohon zoti Sopjani.

Ndryshe, kryeshefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Abdullah Hoti, thotë se mungesa e barnave, mungesa e hapësirave dhe e mjeteve adekuate për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, janë disa nga problemet, me të cilat aktualisht ballafaqohet shëndetësia kosovare.

Por, kujdesi i personelit mjekësor ndaj pacientëve, thotë zoti Hoti, nuk mungon. Ai madje thotë se sa i përket shërbimeve që ofrojnë qendrat familjare, Kosova zë vendin e parë në rajon.

“Pavarësisht pagës që ka mjeku dhe infermierja, ka një entuziazëm në punë. Me plot përgjegjësi e them se ka një disiplinë në punë. Sa i përket kuadrit profesional, jemi shumë mirë, jemi shumë të avancuar, ka një disiplinë në punë”, deklaron zoti Hoti.

Sistemi shëndetësor në Kosovë shumë herë është akuzuar për shërbim jocilësor ndaj pacientëve.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë pohuar se një përmirësim mund të ndodhë vetëm me investime. Sipas tyre, askund nuk janë më të nevojshme dhe më të frytshme investimet, sesa në sistemin shëndetësor.
XS
SM
MD
LG