Ndërlidhjet

“Kermabon: S’negociuam me Beogradin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Brenda tri fazave, të cilat tashmë thotë se i ka të shkruara në projektin e tij, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) shpreson ta kthejë situatën sikur ka qenë para dhjetorit të vitit 2006 në LDK. Ekonomisti Berim Ramosaj, në një bisedë për “Express” ka shpalosur pjesë të planit të tij për riunifikim të partisë. E themeluar në shkurt të vitit 2007, dy muaj pas përplasjes me bllokun fitues të LDK-së në Kuvendin e Gjashtë të partisë, LDD pret t’i nënshtrohet një testi vendimtar në zgjedhjet e sivjetme komunale. Krahas AAK-së, edhe LDD ka qenë mjaft aktive në terren në përcaktimin e kandidaturave për kryetarë të komunave. Këtë tashmë e ka bërë në Gjilan, Prizren e Viti. Megjithatë, Berim Ramosaj sheh një rrugë tjetër përmes së cilës LDD mund të arrijë deri te suksesi në zgjedhje. Assesi e vetme...

ZËRI
Kryetari i të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb për veriun e Kosovës dhe nënkryetar i komunës (paralele) të Zveçanit, Millan Ivanoviq, sot (të enjten) do të paraqitet në stacionin policor në Zveçan për dyshim të kryerjes së disa veprave penale, si: pjesëmarrje në aksione kriminale, organizim dhe mbështetje të grupeve terroriste, për nxitje të urrejtjes nacionale e fetare, rrezikim të personelit të EULEX-it dhe pjesëmarrje në masën që kishte bërë vepra penale. Ditë më parë, prokurorja e EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës, Neti Amin, i ka dërguar ftesë Ivanoviqit për t’u paraqitur në polici, për t’u marrë në pyetje nga ana e EULEX-it...

BOTA SOT
Një prej “luftës” së fundit që ka shpikur Beogradi zyrtar, është shpërndarja në Interpol e emrave të më se 160 ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët, sipas Serbisë, janë të dyshuar për pjesëmarrje në krime ndaj minoritetit serb gjatë luftës. Pas publikimit të emrave të këtyre “të akuzuarve” nga Serbia, del se në mesin e këtyre janë edhe emrat e kryeministrit Hashim Thaçi, ish-kryeministrave Ramush Haradinaj e Agim Çeku, komandantit të FSK-së, Sylejman Selimi, e të mjaft zyrtarëve të tjerë të lartë institucionalë, partiakë e ushtarakë të Kosovës. Sipas kërkesës së Serbisë, të gjithë këta 160 ish-luftëtarë të UÇK-së, në çdo pikë kufitare të vendeve anëtare të Interpolit, do të duhej të arrestoheshin dhe të ekstradoheshin në Serbi. Këtë sfidë të Serbisë e ka përjetuar më së shumti vetë Agim Çeku...

EPOKA E RE
Lulzim Zeneli, projektin e bashkimit të LDD-së me LDK-në të Berim Ramosajt e ka quajtur instrument vetëm sa për të qenë i pranishëm në medie. Sipas tij, kjo ide në LDD është respektuar, është debatuar në forumet e partisë dhe si e tillë është hedhur poshtë, pasi ka qenë në kundërshtim me vizionin e partisë. “Ka mbetur person i vetmuar. Po e ilustroj me shembull. Ka qenë aq i vetmuar sikurse një person në shkretëtirë”, ka thënë Zeneli, duke treguar për ecurinë e mbledhjeve të LDD-së, në të cilat Berim Ramosaj ka prezantuar idenë e tij...

LAJM
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë sërish akuza ndaj partisë së Hashim Thaçit, se ushtron dhe ka ushtruar kontroll të vazhdueshëm mbi Radio Televizionin e Kosovës. i pyetur të mërkurën rreth debatit në Kuvendin e Kosovës, ku janë përmendur emra të familjes së tij dhe për një presion, për të cilin thuhet se ushtron Haradinaj mbi televizionin publik RTK, ai ka mohuar një gjë të tillë. “Ka pasur një kontroll të vazhdueshëm nga Partia Demokratike e Kosovës mbi televizionin publik në mënyra të ndryshme, si një realitet të jetës. Tanimë që bëhet fjalë për kontroll të pushtetit mbi një medie publike, ne kemi kërkuar që më të mos ndodhë”...

KOHA DITORE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i ka shkruar një letër publike shefit të EULEX-it, Iv de Kermabon, me anë të së cilës ka kërkuar që të informohet për negociatat që EULEX-i po i zhvillon me Beogradin. Zëvendëskryeministri Kuçi ka tërhequr vërejtjen në këtë letër se ai personalisht nuk ka qenë i informuar me rrjedhat e këtyre bisedimeve. “Ju lutem, ta keni parasysh që unë nuk i kam parë draftet e këtyre protokolleve dhe nuk kam qenë i informuar zyrtarisht nga misioni i EULEX-it që diskutime të tilla janë zhvilluar me institucionet e Kosovës”, ka shkruar Kuçi. Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur që në detaje të komentonin letrën e zëvendëskryeministrit kosovar, por kanë thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht e njoftuar për detajet e bisedimeve që EULEX-i po i bën me Beogradin...

INFOPRESS
Në vazhdën e përkushtimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mbështetur kategoritë me gjendje të rëndë sociale, kryeministri Hashim Thaçi dhe drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, kanë nënshkruar të mërkurën Memorandumin e Mirëkuptimit për ndërtimin e 30 shtëpive për kategoritë pa strehë, për invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet me gjendje të rëndë sociale, familjet e viktimave të luftës dhe për familjet e minoriteteve. Ky memorandum u nënshkrua me iniciativën e kryeministrit Thaçi...

KOSOVA SOT
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka marrë garanci nga shefi i misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, Iv de Kermabon, se misioni që ai drejton nuk ka bërë negociata me Beogradin në emër të Qeverisë së Kosovës, ashtu siç është përfolur kohëve të fundit në medie. Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, ka thënë për “Kosova sot” se duket se ka një konfuzion më lidhje me vizitën e tij në Beograd, në muajin mars, e cila është vlerësuar si fillim i bisedimeve me Beogradin për polici, dogana dhe gjykata. “Gjithmonë i informojmë kosovarët për vizitat dhe kontaktet tona qoftë me Tiranën, Shkupin apo Beogradin, dhe më duket që është shkaktuar një lloj konfuzioni për këtë edhe u takova tash me zëvendëskryeministrin Kuçi për të shmangur çfarëdo keqkuptimesh apo thashethemesh, sepse dihet se ka shumë thashetheme...”, ka thënë Kermabon...
XS
SM
MD
LG