Ndërlidhjet

Kosova (s') rrezikohet nga terrorizmi


Policia e Kosovës thotë se nuk ka rrezik të sulmeve eventuale terroriste në vend. Ky vlerësim vjen pas lajmit se edhe Kosova ishte cak i një sulmi të tillë. Analistët thonë se Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit.



Kosovari Hysen Sherifi, i arrestuar nga autoritetet amerikane bashkë me 6 persona tjerë në Karolinën Veriore, është nga Gjilani. Ai, bashkë me 6 persona tjerë, akuzohet për terrorizëm. Policia e Kosovës konfirmon se herën e fundit Sherifi ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2008.

Autoritetet e Kosovës, informatat në lidhje me veprimtarinë e këtij personi të akuzuar për terrorizëm, ia kanë dorëzuar shtetit amerikan.

Departamenti amerikan i drejtësisë ka bërë të ditur se i arrestuari 24 vjeçar Hysen Sherifi, pos tjerash, është i akuzuar edhe se ka udhëtuar në Kosovë “për t’u angazhuar në xhihad të dhunshëm”.

Policia thotë se ka mbledhur informacione në lidhje me Sherifin, por nuk i zbulon ato. Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, shpjegon:

“Policia e Kosovës ka kryer të gjitha detyrimet që i ka pasur në aspektin e dhënies dhe marrjes së informacioneve me zyrtarët e qarqeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me rastin në fjalë”.

Edhe pse grupi është akuzuar se veç Izraelit e Jordanisë, po përgatiste dhe planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë, autoritetet policore nuk janë të shqetësuara.

Përmes zëdhënësit Besim Hoti, policia thotë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet eventuale terroriste.

“Nuk parashihet ndonjë situatë shqetësuese. Ne nuk kemi indikacione për sulme të tilla të mundshme. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të shqetësohen për këtë”, tha Hoti.

Por, ndryshe mendon Arben Qirezi, njohës i çështjeve të sigurisë. Ai thotë se Kosova, sikurse edhe shumë shtete tjera, nuk është imune ndaj terrorizmit global. Kjo, sipas tij, dëshmohet më tepër pas arrestimit të grupit të fundit në Karolinën Veriore.
Kur terrorizmi vepron globalisht, kur në celula të ndryshme terroriste janë të përfshirë nga vende të ndryshme dhe kur këto celula mund të krijohen e zhvillohen në vende të ndryshme, as Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë imune nga rreziqet që i sjell terrori trans-nacional.

“Kur terrorizmi vepron globalisht, kur në celula të ndryshme terroriste janë të përfshirë nga vende të ndryshme dhe kur këto celula mund të krijohen e zhvillohen në vende të ndryshme, as Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë imune nga rreziqet që i sjell terrori trans-nacional”.

“Mund të ketë edhe brenda në Kosovë njerëz me agjenda, të cilat nuk janë në interes jo vetëm të Kosovës, por të zhvillimit njerëzor, që përpiqen të fitojnë mendjen dhe zemrat e të rinjve në Kosovë”,
shprehet Qirezi.

Ai mendon se shndërrimi i Kosovës në shënjestër të sulmeve terroriste ka dëme të shumanshme.

“Bëhet fjalë për sulme ndaj interesave amerikane, por edhe për të komprometuar politikën amerikane nëpër botë, sepse ndonjë sulm i tillë do të ishte goditje e madhe jo vetëm për imazhin e Kosovës, por do të ngrinte pyetje dhe në opinionin e brendshëm amerikan për politikën amerikane ndaj Kosovës”, tha Qirezi.

Në anën tjetër, institucionet thonë se Kosova ka një politikë të qartë në luftën kundër terrorizmit, për zbatimin e së cilës bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe me KFOR-in.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Duraku, thotë se kohë më parë qeveria ka miratuar strategjinë kundër terrorizmit dhe planin e veprimit.

“Gjithashtu jemi në ngritje të kapaciteteve të përditshme të mekanizmave shtetërorë që veprojnë në luftë kundër terrorizmit dhe si dëshmi e ngritjes së këtyre kapaciteteve, para një jave janë dorëzuar të gjitha kompetencat e njësitit kundër terrorizmit nga EULEX-i te Policia e Kosovës”, tha Duraku.

Prania e organizatave joqeveritare që promovojnë një vijë më radikale të islamizmit është vlerësuar nga disa raporte të mëhershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme si e rrezikshme për vendin.

Arben Qirezi mendon se në luftën kundër terrorizmit nuk duhet të fokusohen vetëm strukturat e sigurisë. Ai mendon se politikat sociale të qeverisë duhet të jenë më joshëse për të rinjtë e margjinalizuar, sesa organizatat me veprimtari të dyshimtë.

“Qeveria dhe organizatat ndërkombëtare të punojnë në parandalimin që këto lloj organizatash radikale të arrijnë të rekrutojnë të rinj në mesin e tyre”,
theksoi Qirezi.

Ngritja e plotë e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, kompletimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë parë si të domosdoshme në forcimin e luftës kundër terrorizmit.
XS
SM
MD
LG