Ndërlidhjet

Kujt i raporton Policia e Kosovës në veri?


Policia e Kosovës në veri funksionon sikurse edhe në pjesët tjera të Republikës së Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, pohon se të gjithë policët, të cilët veprojnë në Kosovë, janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe se të gjithë ata e respektojnë ligjin. Megjithatë, ai thotë se kanë qenë dhe disa vështirësi, por që janë tejkaluar tashmë.

“Kemi pasur vështirësi më shumë se një vit me disa pjesëtarë që kanë abstenuar. Pjesa kryesore e tyre është kthyer në vendin e punës dhe ata i raportojnë eprorëve të tyre sipas zinxhirit komandues”.

“Policia e EULEX-it po ndihmon shumë në këtë proces, pra ata janë mbështetës në respektimin e zinxhirit komandues. Kemi takime të rregullta të menaxhmentit të policisë, me të gjitha regjionet dhe stacionet, duke përfshirë edhe ato në veri të vendit”,
thotë Pajaziti.

Ndërkaq, në raportin e parë të publikuar të EULEX-i i thuhet se ekziston një shqetësim lidhur me cilësinë e udhëheqjes së Policisë së Kosovës dhe kapacitetit për drejtim strategjik.

Policia në këtë raport është kritikuar për mangësi në zinxhirin komandues në mes nivelit rajonal e qendror apo edhe mes departamenteve të ndryshme brenda dhe jashtë policisë.

Ministri Pajaziti thotë se nuk ka ndonjë paqartësi lidhur me zinxhirin komandues në ndonjërin nivel të policisë dhe se Policia e Kosovës në veri i raporton përfundimisht Policisë së Kosovës.

“Ky proces është tani për tani shumë pozitiv dhe nuk ka ndonjë vështirësi në funksionimin e policisë dhe me zinxhirin komandues është siç e sheh ligji”, pohon Pajaziti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se sa i përket zinxhirit komandues në pjesën veriore, është zinxhiri i njëjtë komandues, i cili funksionon sikur edhe në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Kosovës.

“Ekziston një zinxhir komandues, që do të thotë drejtpërdrejt informatat kalojnë prej nivelit të stacionit policor në nivelin e Drejtorisë rajonale të Mitrovicës, e nga aty shpërndahen në Drejtorinë e përgjithshme të policisë dhe tutje”, shpjegon Beka, duke shtuar që Policia e Kosovës në veri funksionon sikurse në çdo stacion tjetër policor.

“Ata marrin pjesë në takime të rregullta javore që mbahen në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë rajonale të Mitrovicës. Raportet e shpejta dhe informatat vijnë çdo ditë në Drejtorinë rajonale të Mitrovicës, po ashtu kemi edhe kërkesa për asistencë nga stacioni verior tek stacioni jugor në Mitrovicë. Kjo do të thotë që ekziston edhe një bashkëpunim i mirë në mes të stacioneve në veri dhe stacioneve tjera të regjionit të Mitrovicës”,
thotë Beka.

Ndërkaq, sa u përket rasteve, të cilat ndodhin atje, zoti Beka thotë se problemet nuk ndryshojnë shumë nga rastet kriminale që raportohen anekënd Kosovës, mirëpo tensioni mbetet më i lartë në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG