Ndërlidhjet

EULEX: Marrëveshja - këmbim informacionesh në nivel policor


Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, siç është paralajmëruar, mund të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Përfaqësues të këtij misioni thonë se një marrëveshje e tillë ka për synim këmbimin e informacioneve në nivelin policor.


Protokolli mbi bashkëpunimin policor me Serbinë, sikurse edhe të tjerët që do të nënshkruhen me vendet tjera, ka për qëllim të mundësojë këmbimin e informacioneve në nivelin policor.

Kështu e kanë shpjeguar zyrtarë të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

EULEX-i, përmes një deklarate me shkrim, ka sqaruar:

“Nëse ndodh një vrasje në Kosovë dhe nëse i dyshuari arratiset në Serbi, duhet pasur mundësi për të këmbyer informacione dhe anasjelltas. Kjo është ajo që ne synojmë. Të gjitha informacionet do t’i ndajmë edhe me Policinë e Kosovës”.

“Krimi i organizuar, kontrabandimi, kalimet e paligjshme kufitare, trafikimi i qenieve njerëzore janë çështje rajonale, që nuk kufizohen me kufijtë e ndonjë shteti dhe për t’i trajtuar me sukses, dëshmitë duhet të ndahen dhe këmbehen”.

“Në këto fusha, EULEX-i aktualisht ka mandat ekzekutiv që t’i ndjekë kriminelët dhe t’i sjellë ata përpara drejtësisë në gjykatat e Kosovës. Këto çështje tashmë janë diskutuar me homologët tanë në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë dhe është arritur marrëveshje preliminare për rrugën përpara”,
thuhet në deklaratën e misionit të EULEX-it.

Mandati i EULEX-it rrjedh nga kombinimi i disa dokumenteve, siç janë Plani i Veprimit i BE-së, Rezoluta 1244 dhe letra e presidentit të Kosovës drejtuar Havier Solanës, në të cilën është thënë se mirëpritet roli i misionit të EULEX-it.

Në këtë letër tashmë thirren edhe zyrtarët e EULEX-it, duke thënë:

“Është e rëndësishme të rikujtohet fakti se EULEX-i mban disa fuqi ekzekutive, mbi të cilat është arritur pajtueshmëri në fillim të misionit tonë, në letrën që presidenti i Kosovës ia ka dërguar Havier Solanës, në shkurt të vitit 2008. Kjo është pjesë e mandatit tonë, edhe pse bërthama e mandatit është të monitorohen dhe këshillohen institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë kundërshtuar nismën e EULEX-it për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Serbisë.

Qeveria e Kosovës
Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Fisnik Rexhepi, pohon se misioni i EULEX-it në Kosovë është vetëm për t’i përkrahur institucionet e vendit, e jo, siç thotë ai, për t’i zëvendësuar ato.

“Ju e dini që misioni i EULEX-it është mision teknik në fushën e sundimit të ligjit, është këtu me ftesë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të mbështetur institucionet në fushën e sundimit të ligjit përmes këshillimit dhe monitorimit”.

“Misioni i EULEX-it si i tillë është duke funksionuar në Kosovë, duke u bazuar edhe në konceptin e pronësisë vendore. Pra, nuk është këtu për të zëvendësuar institucionet e Republikës së Kosovës, por vetëm për t’i mbështetur ato në fushën e sundimit të ligjit. Prandaj, çdo veprim i EULEX-it që mund të interpretohet si zëvendësim i rolit të institucioneve të Republikës së Kosovës, ne konsiderojmë se është tejkalim i mandatit të tyre”,
tha Rexhepi.

Ai konsideron se asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës. Ai thotë se Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me vendet në rajon dhe se një gjë të tillë do ta bëjë edhe në të ardhmen.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeveria e Republikës së Kosovës është adresa e vetme legale dhe legjitime për të negociuar dhe nënshkruar marrëveshje me të gjitha vendet që janë të interesuara për bashkëpunim me Republikën e Kosovës”, theksoi Rexhepi.

Edhe përfaqësuesit e partive opozitare e kundërshtojnë një ide të tillë. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, konsideron se për një marrëveshje si ajo që është paralajmëruar se do të nënshkruhet mes EULEX-it dhe MPB-së së Serbisë, duhet të reagojnë të gjitha institucionet e vendit.

“Misioni i EULEX-it është qartë i përcaktuar me dokumentin e Ahtisarit dhe asnjë autoritet tjetër, përveç institucioneve të Kosovës, nuk mund të nënshkruajë marrëveshje me cilindo shtet”.

“Është në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me vetë dokumentin e Ahtisarit dhe me vetë misionin që ka EULEX-i në Kosovë. Unë mendoj që këtu duhet të reagojnë institucionet e Kosovës, pa dallim, të gjitha, se këtu cenohet Kushtetuta e Kosovës”,
tha Gashi.

Një marrëveshje ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është kundërshtuar edhe nga analistët politikë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG