Ndërlidhjet

Njohja e albanologjisë


Edicioni i 28-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare tashmë ka filluar dhe mbi 70 studentë të huaj kanë nisur kurset për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe për të thelluar njohjet e tyre për këtë gjuhë. Kështu thonë organizatorët e këtij seminari.

Prof. dr. Sala Ahmetaj, përgjegjëse për kurset e gjuhës, thotë se janë organizuar shtatë kurse në tri nivele, të cilat janë konform kërkesave të seminaristëve.

“Niveli i parë është paraparë të përfshijë vijuesit që nuk e njohin gjuhën shqipe ose supozojmë se nuk e njohin. Kurse, në nivelin e dytë janë ata që tashmë kanë mësuar shqipen, por duan t’i thellojnë njohuritë dhe ta mësojnë gramatikën më mirë. Niveli i tretë është për vijuesit që janë formësuar dhe mund t’i konsiderojmë si albanologë të përgatitur, që mund të japin kontribut në debate të caktuara”, shpjegon Ahmetaj.

Ndërkaq, Blerta Ismajli, sekretare profesionale e seminarit, shpreh mendimin se numri i pjesëmarrësve në seminar është barometër që tregon interesimin në botë për albanologjinë në përgjithësi.

“Ky numër kaq i madh i pjesëmarrësve dhe i kurseve tregon interesimin e pjesëmarrësve. Në mesin e tyre ka shumë pjesëmarrës që janë të rinj, ndonëse nuk janë gjithmonë fillestarë në studimet dhe në mësimin e shqipes, por janë të rinj si seminaristë. Kjo tregon edhe për vazhdimësinë e interesimit nëpër qendrat e ndryshme në botë sa i përket mësimit të gjuhës shqipe”, thotë Ismajli.

Në anën tjetër, disa seminaristë të huaj tashmë kanë filluar angazhimet e tyre në seminar. Albanologu Aleksander Novik, nga Universiteti i Peterburgut në Rusi, thotë se që nga viti 1990, në vazhdimësi ka përcjellë punën e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“Tani kam ardhur këtu, bashkë me studentët e mi, për të marrë pjesë në këtë seminar, sepse për studentët tanë është shumë e dobishme që të marrin pjesë në kurset e shqipes, për të komunikuar me shqiptarë, për të përmirësuar gjuhën shqipe e kështu me radhë”.

“Është shumë interesante t’i dëgjoj kumtesat e kolegëve tanë nga vendet e ndryshme të botës. Është shumë interesante për ne që të kemi mundësi të tregojmë diçka për hulumtimet në vendet tona për shqiptarët dhe për botën shqiptare”,
shprehet Novik.

Ngjashëm thotë edhe Gjovana Nançi nga Italia:

“Ardhja në Kosovë, me mundësinë që të jem në kontakt me gjuhën, me kulturën, si dhe seminari, më japin mundësi që të marr njohuri më të thelluara në fushën e albanologjisë, si dhe normalisht, krijimin e marrëdhënieve me kolegët në kurse dhe marrëdhënie shoqërore. Kam disa miq këtu në Prishtinë. Pra, në përgjithësi, kontakt me njerëz, me gjuhë, me kulturën dhe me traditat”.

Sidoqoftë, zonjusha Ismajli thekson se përveç kurseve të gjuhës shqipe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të përmbajë edhe nivele tjera punimesh.

“Sesioni shkencor mbahet më 27 dhe më 28 gusht, do të thotë, në dy ditët e fundit të punës së seminarit dhe është i organizuar në dy fusha, të gjuhësisë dhe të letërsisë. Në fushën e gjuhësisë do të flitet për shqipen e folur dhe shqipen standarde, ndërkaq në fushën e letërsisë do të flitet për romanin e sotëm shqiptar”.

“Para se të vijmë te sesioni shkencor, për gjatë këtyre dy javëve, do të mbahen rregullisht ligjërata dhe referime. Do të ketë edhe një tryezë të rrumbullakët për dy personalitete të kulturës shqiptare, për gjuhëtarin e njohur Selman Riza dhe për shkrimtarin Jakov Xoxa”.
XS
SM
MD
LG