Ndërlidhjet

Debati për Ligjin mbi administratën publike


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Administrata shtetërore në Maqedoni është e politizuar dhe e paaftë të përballet me nevojat e qytetarëve dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Kështu kanë vlerësuar ekspertët, duke komentuar debatin për miratimin e Ligjit për administratën publike, që është një nga kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.


Miratimi i Ligjit për administratën shtetërore, i fundit nga pakoja e ligjeve që kërkohet nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nuk do të depolitizojë administratën shtetërore, e as nuk do të rrisë cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Kështu vlerësojnë ekspertët duke mbështetur argumentet e tyre në pozitën, në të cilën ndodhet administrata shtetërore.

“E politizuar, e korruptuar dhe e paaftë”- kjo është pozita, në të cilën ndodhet administrata dhe ky imazh i keq s’mund të pretendohet se mund të përmirësohet për një apo disa muaj, thonë ekspertët.

“Miratimi i ligjit është vetëm një nga segmentet e nevojshme për të depolitizuar dhe rritur efikasitetin e administratës”.

“Ne duhet të fillojmë me reforma në gjithë sektorin publik. Kjo është thelbësore për ne, pasi, për fat të keq, që nga vitet e 90-ta askush nuk është interesuar për reforma në administratën shtetërore”,
tha profesori universitar, Borçe Davitkovski.

I të njëjtit mendim është edhe Jonuz Abdullahu, profesor në Fakultetin e Administratës Publike pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai thotë se shteti duhet të marrë në konsideratë edhe kuadrot që dalin nga ky fakultet, e që, sipas tij, janë të gatshme për të ndryshuar imazhin e keq që aktualisht ka administrata shtetërore.

“Administrata shtetërore është e partiarizuar, e dyta është politizuar dhe e treta është joefikase deri më tash. Duhet bërë ndryshime jashtëzakonisht të mëdha, veçanërisht në pranimin e kuadrit të ri, për të cilin ne faktikisht punojmë; përgatisim kuadër për administratën shtetërore”, tha Abdullahu.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian ishte konstatuar edhe mungesa e transparencës gjatë punësimeve në administratë.

“Ka mungesë të transparencës dhe përgjegjësisë gjatë marrjes së vendimeve në organe të caktuara. Agjencisë për nëpunësit shtetërorë i mungojnë mekanizmat për sigurimin e ligjshmërisë dhe procedurat gjatë marrjes së vendimeve, kurse vendet me përgjegjësi të lartë plotësohen me persona që nuk kanë përvojat dhe kualifikimet profesionale”, thotë Gjorgji Hristov, përfaqësues i Qendrës maqedonase për arsimim evropian.

Ministria e Drejtësisë thotë se ndryshimet në Ligjin për nëpunësit shtetërorë do të bëjnë që administrata të jetë efikase dhe e çliruar nga ndikimet politike, por partitë politike dyshojnë se kjo mund të ndodhë. Ndërkaq, ekspertët thonë se pavarësisht miratimit të ligjit, Komisioni Evropian edhe në raportin e vjeshtës do të paraqesë vërejtje për administratën shtetërore.

“Në raportin e Komisionit Evropian do t’i kemi vërejtjet e njëjta - administratë të partizuar dhe administratë që nuk është e aftë t’i plotësojë edhe formularët për të aplikuar për fondet e Bashkimit Evropian”, thotë profesori Davitkovski.

Me Ligjin për administratën shtetërore, Maqedonia rrumbullakëson pakon e ligjeve evropiane. Para disa ditëve u miratua edhe Ligji për punën e Parlamentit, por pa konsensusin e të gjitha partive politike, siç kërkohej nga Komisioni Evropian.
XS
SM
MD
LG