Ndërlidhjet

"Status-quo" ekonomike


Gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e qytetarëve të Kosovës, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, do të mbetet e pandryshueshme edhe për 10 vjetët e ardhshëm. Një përmirësim i gjendjes aktuale, sipas tyre, mund të bëhet nëse do të aktivizohen disa nga sektorët ekonomikë prodhues.


Autoritetet kosovare duhet të krijojnë strategji adekuate për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë dhe zyrtarë të programeve ndërkombëtare në Kosovë.

Eksperti Avdullah Hoti konsideron se gjendja e pandryshueshme ekonomike e qytetarëve të Kosovës vjen si pasojë e shumë faktorëve. Arsye kyçe të kësaj gjendjeje në vend, sipas tij, janë dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999 dhe së fundi kriza ekonomike globale.

“Nëse shihet përvoja e vendeve tjera, të cilat kanë kaluar fazën e para-zhvillimit dhe kanë hyrë në mesin e vendeve në zhvillim dhe në vendet e zhvilluara, mendoj se Kosova duhet të kalojë edhe një periudhë për t’u futur në grupin e vendeve të zhvilluara. Kjo nënkupton se duhet të kalojnë së paku 5 deri në 8 vjet për ta kaluar problemin madhor të ristrukturimit bazik të ekonomisë”, thotë Hoti.

Marrë parasysh që Kosova është një vend i vogël, ekspertët për çështje ekonomike vlerësojnë se me një punë intensive dhe serioze, deri në vitin 2015 varfëria mund të zbresë në shkallën më të ultë.

Levent Koro, analist i programeve nacionale në UNDP, thotë se për zbutjen e papunësisë në Kosovë duhet të aktivizohen disa nga sferat ekonomike, të cilat kanë potenciale për ndryshimin e gjendjes aktuale ekonomike dhe sociale.

“Në sferën ekonomike Kosova posedon potenciale; duhet të aktivizohen potencialet në energji, në miniera, në bujqësi. Duhet sa më shumë të reformohen këta tre sektorë, që në Kosovë të krijohen kushte që niveli i varfërisë të jetë më i vogël”, thekson Koro.

Kosova, e cila ka kaluar në tranzicione të trefishta, në nivel ekonomik, në nivel shoqëror dhe në nivel të konfliktit, sipas zotit Koro, duhet të punojë shumë gjatë këtyre viteve, që të ketë një rritje ekonomike.

“Besoj që brenda 5 -10 vjetësh, Kosova ka kohë të jetë një shtet me një agjendë krejt tjetër dhe nuk do të jetë një vend i varfër. Megjithëkëtë, institucionet e Kosovës duhet të kenë një strategji për daljen nga kjo situatë e rëndë sociale”,
thotë Koro.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për Punën dhe Punësimin në vitin 2008, rreth 335, 942 persona janë të regjistruar si të papunë në shërbimet publike të punësimit në Kosovë. Shumica prej tyre janë shqiptarë të pakualifikuar.

Gjatë vitit 2008 thuhet se nuk kanë munguar vendet e punës, por që për një vend të lirë është dashur të konkurrojnë brenda muajit 581 të papunë.

Për të tejkaluar këtë gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale të qytetarëve, eksperti për çështje ekonomike, Flamur Keqa, vlerëson se Kosovën e presin sfida të mëdha.

“Nëpërmes zhvillimit ekonomik, qoftë përmes bizneseve, duhet të gjenerohen të hyra, të cilat do të futen në buxhetin Kosovës. Më pastaj, kjo do të ndihmonte në shpërndarjen e të hyrave edhe për këto kategori të rrezikuara. Kjo do të ndikonte në përmirësimin e jetës për këto kategori”, thekson Keqa.

Kosovarët e punësuar, sipas të dhënave zyrtare, kanë realizuar një pagë mesatare mujore prej rreth 248 eurosh. Nga viti 2006, kjo është një rritje prej rreth 2.5 për qind.
XS
SM
MD
LG