Ndërlidhjet

Decentralizimi edhe në veri?


Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë thonë se është shtuar interesimi i banorëve serbë për të marrë pjesë në procesin e decentralizimit, madje dhe në veri të Kosovës. Por, pavarësisht këtyre zotimeve, përfaqësues të serbëve mendojnë ndryshe.


Pas emërimit të ekipeve përgatitore për krijimin e komunës së re të Kllokotit, atë të Graçanicës dhe të Ranillugës, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe ata të Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se është duke u zhvilluar intervistimi i kandidatëve për komunën e Parteshit, të Novobërdës dhe të Mitrovicës Veriore.

Pavarësisht deklaratave të mëhershme të zyrtarëve kosovarë, sipas të cilave, krijimi i komunës së Mitrovicës Veriore po vështirësohet për shkak të ndikimit politik të Beogradit mbi banorët e kësaj pjese, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Endi Megafi, thotë se edhe në radhët e qytetarëve të veriut të Mitrovicës ka interesim të shtuar për pjesëmarrje në procesin e decentralizimit.

Endi Megafi

“Hapi ynë i parë do të jetë emërimi i një ekipi përgatitor për komunën e Mitrovicës Veriore. Ka pasur një numër të kënaqshëm të aplikimeve për këtë, andaj nuk ka dyshim se në veri të Mitrovicës ekzistojnë partnerë, të cilët kanë interesim të sinqertë dhe janë të përkushtuar në këtë”,
thotë Megafi.


Rritjen e interesit në radhët e banorëve serbë e konfirmon dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila së shpejti pritet të lancojë raundin e dytë të fushatës informuese për decentralizim.

Zyrtarja për informim në këtë ministri, Lumnije Demi, shpjegon:
Ka filluar të hiqet dilema rreth asaj se a duhet të ndodhë procesi i decentralizimit në Kosovë...

“Ka filluar të hiqet dilema rreth asaj se a duhet të ndodhë procesi i decentralizimit në Kosovë; do të thotë, vetë aplikacionet që janë pranuar nga të interesuarit për të qenë anëtarë të ekipeve përgatitore në komuna, tregojnë se tani është një disponim krejt ndryshe i të gjithë këtyre anëtarëve, por edhe i vetë lokaliteteve për të bashkëpunuar rreth procesit të decentralizimit”, shprehet Demi.

Mirëpo, përfaqësues të serbëve në Kosovë mendojnë ndryshe. Lideri i Partisë së Ripërtëritjes Serbe, Rangjell Nojkiq, pohon se ka interesim në radhët e serbëve kosovarë për të marrë pjesë në decentralizim, porse ky proces, sipas tij, duhet të jetë esencial dhe jo fiktiv.
Procesi i decentralizimit duhet të definohet në mënyrë të qartë ligjore, e më pastaj të hyhet në atë proces...

“Para së gjithash, mendoj se procesi i decentralizimit nuk guxon të shkojë pa definim të qartë të kritereve. Ndërkaq, në të gjitha takimet që kemi pasur deri më tani, ato nuk kanë qenë të definuara qartë. Prandaj, unë nuk e di se çka do të punojnë grupet punuese e as ato nuk e dinë saktë se çka do të punojnë. Unë kam qenë në shumë mbledhje së bashku me ta dhe ata kanë thënë se ato kritere duhet akoma të definohen”.

“Prandaj, procesi i decentralizimit duhet të definohet në mënyrë të qartë ligjore, e më pastaj të hyhet në atë proces”,
thotë Nojkiq, duke theksuar se aktualisht po krijohet përshtypja se procesi i decentralizimit është formalitet që nuk do t’i japë efektet e caktuara.

Ai shpreh bindjen se përgjegjësia mbi këtë proces po hidhet prej njërës palë te tjetra, por, siç thekson Nojkiq, as bashkësia ndërkombëtare e as institucionet dhe Qeveria e Kosovës nuk janë të gatshme për të.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare hedh poshtë këtë gjë.

“Nuk mendoj se është një reflektim i drejtë rreth punës që është bërë. Ka disa gjëra të rëndësishme që duhet të balancohen në këtë rast. Çdokush ka dëshirë që kjo qeverisje lokale t’i nënshtrohet një procesi të reformimit në të gjithë Kosovën. Kjo është e rëndësishme, është pjesë e një qeverie të zhvilluar e demokratike dhe është një gjë për të cilën është e përkushtuar qeveria dhe bashkësia ndërkombëtare”, thekson Megafi.

Mësohet se që nga muaji maj, kur është hapur konkursi për ekipet përgatitore nëpër komuna, për këto ekipe kanë aplikuar rreth 358 kandidatë.

Ndërkohë, sipas pritjeve të përfaqësuesve vendorë e ndërkombëtarë, brenda periudhës trivjeçare Kosova do të ketë 38 komuna, prej të cilave dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare.
XS
SM
MD
LG