Ndërlidhjet

Llalla: Kemi kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë


Adriatik Llalla
Adriatik Llalla

Inspektori i përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në Shqipëri, Adriatik Llalla, thotë se nuk mund të përgjithësohet, por as të mohohet, se ka zyrtarë që përpiqen ta fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme, duke përfituar nga fondet publike. Ai thotë se gjatë këtij viti është kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë.




RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është hetimi i pasurive të zyrtarëve të lartë. Në opinionin tuaj, sa transparentë janë personat që e drejtojnë shtetin shqiptar?

ADRIATIK LLALLA
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është krijuar në vitin 2003 dhe ka për qëllim kryesor hetimin administrativ të interesave private të zyrtarëve të zgjedhur dhe disa nëpunësve publikë, si edhe shmangien dhe parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Në ILDKP deklarojnë periodikisht mbi 4 mijë zyrtarë, që nisin nga Presidenti i Republikës, deputetët, ministrat, e deri te drejtuesit e pushtet lokal, punonjësit e doganave dhe tatimeve.

Siç shihet, ligjvënësi ka parashikuar një kategori të gjerë zyrtarësh, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e elementit korruptiv në administratën shtetërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, po shpreheni se transparenca e zyrtarëve nuk është në nivele të pritshme?

ADRIATIK LLALLA
Nuk mund të përgjithësohet. Por, as nuk mund të mohohet që ka zyrtarë, që tentojnë ta fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë jo të ligjshme, duke përfituar nga fondet publike.

Për raste të evidentuara dhe të provuara me dokumente shkresore, ne i jemi drejtuar organit të Prokurorisë për ndjekje penale. Gjatë vitit 2009, ne kemi kërkuar kallëzim penal për 14 zyrtarë.

Pavarësisht këtyre shifrave, natyrisht mund të themi se ka ende shumë punë për të arritur krijimin e një administrate të pastruar nga elementi korruptiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga raportet publike të institucionit tuaj, ende nuk kemi parë zyrtarë të nivelit të lartë të kallëzuar penalisht për fshehje të pasurisë.

Insistoj, pasi ndjeshmëria më e madhe e publikut shqiptar është më e lartë për këto nivele dhe opinioni mendon se, pikërisht në radhët e këtyre zyrtarëve, gjenden edhe rastet më flagrante të korrupsionit?

ADRIATIK LLALLA
Zyrtarë të lartë, sipas kuptimit të ligjit, gjenden në radhën e subjekteve që ju përmenda më lart, që kemi dërguar për ndjekje penale. Janë dy ambasadorë, një prokuror rrethi, zyrtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, etj.

Mund të them se ILDKP është në verifikim të disa rasteve të dyshuara, për të cilat kemi të dhëna nga burime të ligjshme, nga media apo nëpërmjet formave të tjera të komunikimit me publikun. Besoj se shumë shpejt, rezultatet e këtyre hetimeve administrative do të bëhen të ditura për opinionin publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Llalla, ka dyshime se zyrtarë të ndryshëm kanë fshehur pasuri jashtë Shqipërisë. A jeni në gjendje të verifikoni jashtë territorit të Shqipërisë?

ADRIATIK LLALLA
Për investigimin e pasurive jashtë Shqipërisë, Inspektorati i Lartë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme Shqiptare dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Të dy këto institucione, nëpërmjet kanaleve të tyre diplomatike të komunikimit, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim, sa herë që është konsideruar e nevojshme nga ana e institucionit tonë.

Duhet kuptuar se vështirësia është e lartë për raste të tilla. Gjithsesi, ne kemi arritur të ndërmarrim hetime administrative jashtë territorit të Shqipërisë dhe të dhënat gjenden në raportet përkatëse për çdo subjekt.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është problematika, me të cilën haset ILDKP në punën e tij?

ADRIATIK LLALLA
Siç ju përmenda më sipër, një ndër problemet kryesore është informaliteti. Pasuri të ndryshme, kryesisht të patundshme, nuk janë të regjistruara ose janë të regjistruara në emra të personave të tretë, të cilët kanë lidhje të tërthortë me zyrtarët.

Pra, ky element i dytë, tjetërsimi i pasurisë është një tjetër problem, me të cilin përballet Inspektorati i Lartë gjatë hetimit administrativ.

Për të minimizuar efektet negative të këtyre dy elementëve, ne modifikuam formularin e deklarimit të pasurisë në fillim të vitit 2009, ku shtuam si detyrim ligjor vendosjen e gjeneraliteteve të personave të lidhur me zyrtarin (prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit/es), si edhe deklarimin e pasurisë së fëmijëve madhorë të subjekteve, pavarësisht nëse janë ose jo në të njëjtën përbërje familjare.

Ky ndryshim synoi pajisjen e Inspektoratit të Lartë me më shumë informacion dhe, tashmë, kanë nisur të dallohen rezultatet e para.

Në institucionin tonë, brenda një kohe të shkurtër, është vënë re shtim i fluksit të të dhënave që mbërrijnë nga qytetarë të ndryshëm, media dhe organizmat joqeveritarë.

Për të realizuar transparencë të plotë, si edhe për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka të dhëna për pasuri të fshehura apo për raste konflikti interesi në radhët e zyrtarëve, ILDKP ka vënë në dispozicion të gjitha mënyrat e komunikimit, përfshirë edhe një numër telefoni pa pagesë.

Tendencë gjithnjë e në rritje po vihet re në mbërritjen e informacioneve nga organizma joqeveritarë, që kanë si qëllim të tyre luftën kundër korrupsionit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se baza legjislative, mbi të cilën funksionon institucioni juaj, është e plotë për një investigim të detajuar? Mendoni se ka nevojë për ndryshime të tjera?

ADRIATIK LLALLA
Nga diskutime me homologë të huaj, rezulton se ligji shqiptar për deklarimin e pasurive dhe për parandalimin e konfliktit të interesave është ndër më të fortët në vendet e rajonit, por edhe më gjerë.

Megjithatë, praktika e deritashme na ka bindur se ka ende vend për ndryshime e përmirësime. ILDKP, me mbështetjen edhe të OSBE-së, shumë shpejt do të kërkojë amendamentimin e ligjit në disa pika, të cilat i konsiderojmë delikate.

Ajo që mund të shpreh në vija të përgjithshme, është fakti që do të synojmë në forcimin e sanksioneve administrative e penale për këdo që tenton të krijojë pasuri, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga fondet publike
XS
SM
MD
LG