Ndërlidhjet

Moska kërkon mbrojtje të përbashkët raketore



Shefi i Shtabit të përgjithshëm të armatës së Rusisë tha se Moska e kundërshton çdo formë të mbrojtjes raketore të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila përjashton përfshirjen e Rusisë.

Gjenerali Nikollai Makarov deklaroi gjatë një vizite në Zvicër se për Moskën do ishte i pranueshëm vetëm krijimi i një sistemi të përbashkët mbrojtës raketor.

Makarov tha se përderisa mundësia e bashkëpunimit ruso-amerikan për mbrojtje raketore ka ekzistuar, nuk ka pasur bisedime konkrete për një sistem të përbashkët.

Pas vendimit të presidentit amerikan Barak Obama për ndryshimin e planeve të mburojës raketore në Çeki dhe Poloni, zyrtarët rusë thanë se Moska mund të heqë dorë nga planet për vendosjen e raketave në enklavën Kaliningrad afër Polonisë.

Makarov nuk u shpreh kundër kësaj, por tha se nuk është marrë vendim përfundimtar për këtë.

Të shtunën, zv/ministri i Mbrojtjes, Vladimir Popovkin tha se është “e natyrshme që të mos ndërmerren masat, të cilat Rusia planifikonte t’i ndërmarrë” si përgjigje ndaj hapit amerikan.

Dje presidenti Obama ripërsëriti se sistemi i mbrojtjes raketore asnjëherë nuk ka qenë kërcënim për Rusinë.

Moska ishte kërcënuar t’i vendosë raketat me rreze të shkurtër veprimi të llojit Iskander në Kaliningrad si kundërmasë nëse Uashingtoni do t’i shtynte përpara planet për mburojën raketore, të cilën Rusia e shihte si kërcënim ndaj raketave balistike të saj.
XS
SM
MD
LG