Ndërlidhjet

“BE-ja në hall me Kosovën”



BOTA SOT
“Qëllimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës ekziston që moti, por ideja për këmbim territoresh doli nga Kongresmeni amerikan Rohrabracher, i cili ishte shumë i qartë kur tha se duhet një marrëveshje paqësore mes Kosovës e Serbisë për ndërrimin e Luginës së Preshevës me Veriun e Kosovës, duke e ditur se një marrëveshje të tillë shteti serb nuk do ta bëjë, pasi që Kosovën e konsideron si pjesë të veten, Kongresmeni amerikan i hapi Luginës së Preshevës derën në drejtim të trungut, derisa Serbisë ia zu bishtin me të njëjtën derë. Edhe më tepër u qartësuan gjërat kur një javë më vonë zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, Toner, tha se territori i Kosovës është i pandashëm, pa e përmendur fare pandashmërinë ë territorit serb”... Flet Orhan Rexhepi, kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH)...

EPOKA E RE
“E ndjej obligim moral, profesional, kombëtar dhe civilizues që t’ia kthej mbrapa këtë Çmim Akademisë, e cila fatkeqësisht akoma mbetet e pareformuar me shumë koka retrograde dhe në shërbim dhe në shërbim dhe/apo nën ndikim të politikës ditore e jo qëndrueshmërisë shkencore. Derisa nuk tërhiqet nga qarkullimi e ashtuquajtura ‘Enciklopedi’, Çmimi ‘Shkencëtar më i mirë i ri për vitin 2007’ për mua mbetet vetëm një copëz letre pa pikë vlere. Nëse ndokush ka krizë identiteti dhe nuk ka as vizion, as potencial e as guxim për ta zgjidhur atë krizë identiteti, le ta ruajë dhe ta zgjidhë për vete atë krizë identiteti apo, fundja, mund të kërkojë ndihmë në mënyrë korrekte për t’ju ndihmuar në zgjidhjen e asaj krize. Se ne, shqiptarët, pavarësisht se si ndokush ka synim të na quajë, nuk kemi krizë identiteti. Së paku, nuk kemi krizë identiteti”, thotë profesori Veton Latifi...

KOHA DITORE
Bashkimi Evropian planifikon një samit të madh me vendet e Ballkanit Perëndimor vitin që vjen në dhjetëvjetorin e Samitit të Zagrebit. Por, që tash është në dilemë se a të thirret Kosova, nëse po, si të ftohet, a do të vijnë liderët kosovarë nëse ftohen në delegacion të UNMIK-ut, a do të vijnë përfaqësuesit e Serbisë nëse vijnë ata të Kosovës. Po ashtu, disa diplomatë të BE-së druajnë se gjatë Presidencës spanjolle do të ketë vështirësi në raportet e BE-së më Kosovën. Edhe pse zyrtarët e BE-së, e sidomos përfaqësuesit e saj në Kosovë, tentojnë të lënë përshtypjen se dallimet mes shteteve anëtare rreth statusit të Kosovës nuk ndikojnë në politikën e saj ndaj Kosovës në Bruksel shumë diplomatë pranojnë se nuk ka ditë që nuk hasin në probleme që shkaktohen si rezultat i këtyre ndasive...

LAJM
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, më 15 nëntor, në garën për kryetarë komunash, pritet të fitojnë kandidatët më të preferuar për qytetarët, pa marrë parasysh partinë me sloganin e së cilës kandidojnë. Sistemi zgjedhor dhe praktika zhgënjyese e menaxhimit të komunave deri më tani do të bëjë që votuesit të mos mendojnë politikisht me rastin e votimit për pushtetin lokal. Kjo klimë pritet t’i ndëshkojë disa prej pushtetarëve të deritashëm lokalë që do të rikandidojnë, e të cilët janë përfshirë në afera. Emrat e njerëzve që janë kandiduar për kryetarë komunash dhe anëtarë të kuvendeve komunale, pritet të luajnë rol të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme lokale. Shuarja e shumicës së bastioneve politike të deritashme dhe ekzistimi i pesë partive të fuqishme në këto zgjedhje, varet jo vetëm nga fuqia e partisë, por edhe nga biografia e kandidatëve...

INFOPRESS
“Ka gjasa që në disa vende do të presin se çfarë thotë gjykata, pasi nuk kanë lidhje të forta me Kosovën apo njohje të thellësishme për rajonin. Derisa e shohin se po zhvillohet procesi, ato mund të presin përfundimin e tij. Ne themi se pavarësisht çfarë do të thotë Gjykata, pavarësisë e Kosovës është e pakthyeshme, opinioni i gjykatës është vetëm opinion, por procedimet në Gjykatë zhvillohen dhe disa vende mund të ndodhë t’i presin ato”, ka shtuar ai. Ambasadori Sparks, po ashtu ka thënë se janë nxjerrë leksionet nga “situatat” e nxehta rreth protokollit policor me Serbinë dhe shprehet se në të ardhmen duhet të ketë komunikim më të mirë...

KOSOVA SOT
“Absolutisht nuk ka asnjë ide që të shkohet në bisedime të sërishme me Serbinë. Ne mund të bisedojmë me ta si dy vende sovrane, për temat që janë në interes të bashkëpunimit të dy vendeve, të dy popujve dhe për asgjë tjetër”, theksoi presidenti Sejdiu. Presidenti Sejdiu gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Së bashku me presidentin Sejdiu për në SHBA ka udhëtuar edhe zonja e parë e Kosovës, Nezafete Sejdiu. Vizita e zonjës Sejdiu bëhet me ftesën e bashkëshortes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zonjës Ban Son-Taek, për të marrë pjesë në “Takimin e dytë qendror vjetor të Kombeve të Bashkuara për autizmin”....

EXPRESS
Deklarata e sekretarit të ministrit serb për Kosovë, Oliver Ivanoviq, se kosovarët mund të pajisen me pasaporta biometrike serbe, bie në kundërshtim me kushtet e Komisionit Evropian, i cili kur ka marrë vendim për heqjen e vizave për Serbinë, ka ndaluar paraprakisht ata që të japin pasaporta të tilla për qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnitetit. Prej datës 1 janar, qytetarët e Serbisë me vendim të këtij komisioni mund të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë. Tre muaj para se të ndodhë kjo, Oliver Ivanoviq ka deklaruar për mediet serbe se të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, të cilët deri më tani ende nuk kanë marrë kartën e identitetit dhe pasaportën, do të mund t’i marrin ato njëjtë sikur qytetarët tjerë, vetëm se një gjë të tillë duhet ta bëjnë në Beograd. "Të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, e të cilët deri më tani ende nuk kanë marrë lejen dhe pasaportën, do të duhet t’i bëjnë ato në koordinim me Departamentin e Policisë në Beograd”...

ZËRI
Edhe pse ditë më parë presidenti i Maqedonisë,gjegje Ivanov, kishte deklaruar se shteti i tij e ka kushtëzuar vendosjen e raporteve diplomatike në nivel ambasadash me Kosovën me çështjen e demarkacionit të kufirit, zyrtarë nga Qeveria thonë se Kosova nuk ka kurrfarë kontestesh me askënd, por se prioritet i politikës së jashtme është lobimi, e jo vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që na kanë njohur. Dy vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, po e kushtëzojnë Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash. E para kushtëzon me definimin e qartë të vijës kufitare mes dy vendeve, ndërkaq e dyta me futjen e minoritetit malazias në Kushtetutën e Kosovës. Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës vazhdojnë të thonë se është çështje ditësh vendosja e këtyre raporteve me këto vende...
XS
SM
MD
LG