Ngjarjet e javës

1
3 maj '09 - Prokuroria e Serbisë për krime lufte po zhvillon hetime intensive kundër Fatmir Limajt, ish-komandant i UÇK-së, për, siç thuhet, krimet ndaj civiliëve serbë në rajonin e Drenicës, kanë bërë të ditur mediat serbe. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës serbe për krime lufte, Bruno Vekariq. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar qesharake këto pohime. Zëdhënësi Memli Krasniqi ka thënë se kemi të bëjmë me një "farsë tjetër të institucioneve të Serbisë".

2
3 maj '09 - Bashkëshortja e kryeminsitrit italian, Silvio Berluskoni, planifikon të kërkojë divorcin. Veronika Lario e ka bërë publik vendimin për dhënien fund martesës 20 vjeçare në një intervistë. Ish-aktorja 52 vjeçare publikisht ka kritikuar Beluskonin disa herë, ndërsa për herë të fundit për faktin që ai kishte marrë pjesë në ditëlindjen e 18-të të një vazje nga Napoli.

3
4 maj '09 - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje publike të gjithë personave të zhvendosur, sidomos atyre serbë, që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Thaçi i kishte bërë thirrje edhe Beogradit, që të ndikojë pozitivisht në procesin e kthimit të serbëve që aktualisht janë të strehuar në Serbi.

4
4 maj '09 - Në Tiranë ka filluar gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mejdiu, dhe 27 të akuzuarve të tjerë për shpërthimin e depove të municionit në Gërdec, ku humbën jetën 27 veta. Përveç Mejdiut, të pendehur janë edhe ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe drejtuesit e një kompanie që merrej me asgjësimin e mjeteve shpërthyese.