Ngjarjet e javës
9
6 maj '09 - Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë kanë njoftuar se rasti i vdekjes së një femre 27 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë konsiderohet si rast i dyshuar i infektimit me virusin e ri, që njihet me emrin “gripi i derrave”. Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Prishtinë kanë thënë se dy analizat e para kanë dalë negative, por është Organizata Botërore e Shëndetësisë ajo që duhet ta thotë fjalën e fundit.
10
6 maj '09 - Senati i Republikës Çeke, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ka miratuar Marrëveshjen e Lisbonës. Kryeministri në largim, Mirek Topolanek, kërkoi nga senatorët që ta miratojnë këtë dokument, pasi ai parasheh reformat në BE.
11
6 maj '09 - Persona të panjohur kishin kërcënuar me postë elektronike Ministrinë e Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës se kishin vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e kësaj ministrie. Punonjësit në këtë ministri janë larguar nga zyrat duke qëndruar para ndërtesës, përderisa njësitet e specializuara të policisë kishin hyrë brenda në kërkim të gjetjes së mjeteve të dyshimta. "Pas kontrollit të ndërtesës së qeverisë, përkatësisht kateve ku dyshohej për vendosjen e ndonjë mjeti shpërthyes, policia nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë", ka thënë zëdhënësi Arbër Beka. Ky lajmërim është konsideruar i rrejshëm dhe punonjësit janë kthyer në ndërtesë.
12
7 maj '09 - Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se është larguar nga Kolumbia pas një urdhri nga autoritetet e këtij vendi, meqë kërkohej nga Serbia si "i akuzuar për krime të luftës". “Autoritetet e Kolumbisë kishin marrë një kërkesë nga Serbia për arrestimin tim dhe për të më dorëzuar në Serbi”, i kishte thënë Agim Çeku agjencisë Reuters. Sipas Çekut, “ky ishte një urdhër arresti jolegjitim” dhe shtoi se “jam vërtet i befasuar që Interpoli ende merret me këtë gjë kur e di se Serbia nuk ka autoritet ndaj qytetarëve të Kosovës”.