Ngjarjet e javës
9
25 maj '09 - Austriaku Majkëll Haneke, regjisor i dramës “The White Ribbon”, ka fituar çmimin më të lartë në Festivalin e Filmit në Kanë. Haneke ka fituar Palmën e Artë të Festivalit me filmin bardhë e zi, që shqyrton temat e fajit shoqëror, mosbesimin dhe dënimin në mesin e banorëve të një qyteti të vogël gjerman, të rrethuar me tragjedi dhe ngjarje të çuditshme, që u shfaqen kur po afrohej Lufta e Parë Botërore.
10
26 maj '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka njoftuar se e ka zgjedhur juristen Sonia Sotomajor, që të jetë gjykatësja e parë hispanike në Gjykatën Supreme. Nëse konfirmohet nga Senati, Sotomajor do të vijë në vend të gjyqtarit të pensionuar, Dejvid Suter.
11
26 maj '09 - Dhjetëra viktima të masakrës së Srebrenicës të 1995-tës besohet se gjenden në një varr masiv, të zbuluar në lindje të Bosnjës. Zëdhënësja e Komisionit për Persona të Pagjetur në Bosnjë, Lejla Çengiq, tha se varri gjendet në afërsi të qytetit Vllasenica. Ajo tha se mbetjet e nëntë njerëzve janë gjetur dhe se zyrtarët presin të gjejnë së paku 20 të tjerë.
12
27 maj '09 - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka anuluar vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj. Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i presidentit thuhej se vendimi për të anuluar vizitën në Maqedoni ka pasuar vendimin e palës maqedonase për ta ndryshuar karakterin e vizitës. Vendimi i Sejdiut u mbështet nga kryeministri Thaçi, si dhe nga përfaqësues të partive politike dhe analistë.