Ndërlidhjet

“Shpërndarja e të hyrave doganore jashtë protokollit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, është optimist se rezultatet konkrete të lobimit intensiv dyjavor të delegacionit të Kosovës, në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, do të kurorëzohen së shpejti me 4-5 njohje të reja për pavarësinë e vendit. Por, ai nuk pranon të përmendë emrin e asnjë shteti që pritet ta bëjë këtë. Ministri i Jashtëm vlerëson se thirrja e presidentit serb, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme, që asnjë shtet të mos e njohë Kosovën, nuk ka pasur asnjë efekt. Ministri Hyseni shprehet se në Nju Jork ka pasur shenja evidente të nervozes së delegacionit serb...

ZËRI
Fillimi i fushatës zgjedhore para kohës së paraparë me ligj nga disa subjekte politike është shkelje e ligjit, ka thënë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta. “Për mendimin tim, disa subjekte politike janë duke bërë shkelje, sepse ligji e thotë kohën kur ato mund të bëjnë fushatë”, ka thënë Lushta. Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të sillen dhe veprojnë konform ligjit deri në ditët zyrtare të fushatës së përcaktuar. Mirëpo, sipas saj, me këtë çështje duhet të merret Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Këto deklarata, kryetarja e KQZ-së i ka bërë dje, pas takimit të rregullt që ka pasur ky komision...

BOTA SOT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë ka shtruar një darkë për punëtorët shëndetësorë të të gjitha kategorive në Komunën e Prizrenit, me ç’rast ka shprehur lëvdata për punën e tyre para, gjatë dhe pasluftës, duke dhënë kontribut të çmuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Në këtë kontekst, z. Thaçi ka njoftuar se çështjet e shëndetësisë në Kosovë do të jenë prioritet i të gjitha prioriteteve të qeverisë aktuale, përderisa ka njoftuar se që nga 1 janari i vitit që pason, pagat e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë do të kenë një ngritje në nivelin prej 30 për qind, mjete këto të cilat do të ndahen nga buxheti qeveritar...

EPOKA E RE
Nexhat Daci është “goditur” të hënën në bastionin e ish-shokut të tij, Ramush Haradinaj, në Deçan, me largimin e 12 anëtarëve nga dega e partisë. Ka mbetur në “mjegull” edhe fati i kryetarit të Degës së LDD-së, Ismet Hulaj. I kontaktuar nga “Epoka e re” të martën, Hulaj ka thënë se dorëheqjen e kanë paraqitur 12 anëtarë të degës, por, sipas tij, s’u është pranuar dorëheqja... Ndërkaq, në qendrën e partisë në Prishtinë, largimi i 12 anëtarëve të Degës në Deçan është konsideruar i natyrshëm. Lulzim Zeneli, anëtar i Kryesisë së LDD-së, ka thënë për “Epokën e re” se partia është e informuar për dorëheqjen e tyre...

KOHA DITORE
Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, synon vendosjen e kontrollit të plotë doganor, duke përfshirë edhe mbledhjen e të hyrave doganore në veri të Kosovës, por paraprakisht është në pritje të vendimit për ligjet që do të aplikoheshin në këtë pjesë, kanë bërë të ditur zyrtarët evropianë. Sipas tyre, drafti i protokollit për bashkëpunim doganor me Serbinë po shqyrtohet me Brukselin dhe në këtë drejtim ende nuk janë qartësuar hamendjet rreth legjislacionit që duhet zbatuar. Ndërkohë, çështja e shpërndarjes së të hyrave doganore, pas mbledhjes së tyre, është çështje me të cilën EULEX-i nuk dëshiron të merret...

LAJM
Dy liderët kryesorë të institucioneve, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, tashmë kanë filluar fushatën elektorale për kandidatët e partive të tyre në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Megjithëse e mohojnë një fakt të tillë, Sejdiu dhe Thaçi kanë shtuar ritmin e përurimeve nëpër komunat ku qeverisin njerëzit e tyre, të cilat konceptohen si tubime elektorale. Në këto aktivitete, përveç dy liderëve të partive në pushtet dhe kryetarëve aktualë të komunave, të cilët do të rikandidojnë, mund të shihen edhe zyrtarë të PDK-së dhe LDK-së dhe militantë të tyre...

INFOPRESS
Maqedonasit së fundmi kanë riaktualizuar frymën antishqiptare në këtë shtet, duke u munduar që në njërën anë ata t’i paraqesin si ardhacakë, ndërsa, në anën tjetër, si popullsi me numër minor, në kuadër të këtij shteti. Së pari filloi me botimin e Enciklopedisë, nga ana e Akademisë së Shkencave të këtij shteti, e më pas edhe me padinë në Prokurorinë Penale, nga dy subjekte politike aleate me kryeministrin Nikolla Gruevski. Njohës të situatës në Maqedoni japin mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. Shumica prej tyre vlerësojnë se kjo është një situatë e orkestruar nga qarqe politike brenda dhe jashtë Maqedonisë, për një Maqedoni pa shqiptarë, ose edhe për ndarjen e saj...

KOSOVA SOT

Ndërsa komuniteti serb i Kosovës procesin e decentralizimit e konsideron si një motiv për të dalë në zgjedhje, qytetarët në disa pjesë të vendit, që do të përfshihen në komunat e reja, kanë filluar të shfaqin dilema rreth pjesëmarrjes së tyre në këto zgjedhje. Madje, disa janë shfaqur hapur se do t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale, të cilat konsiderohen mjaft të rëndësishme... Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka pohuar faktin se në disa mjedise ka situata të palakmueshme dhe rezistenca nga motive të ndryshme. Ai thotë se një pjesë dëshiron të japë kontributin e vet që Kosova të bëhet shoqëri funksionale, teksa një pjesë janë duke rezistuar nga frika se nëse ndahet nga komuna amë, si do të trajtohen në komunën tjetër...
XS
SM
MD
LG