Ndërlidhjet

Kritika institucioneve për të pagjeturit


Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Në një dëgjim publik të organizuar nga Komisioni parlamentar për të zhdukurit, përfaqësuesit e familjarëve që iu mungojnë të afërmit e tyre, kanë kritikuar institucionet e vendit se nuk po bëjnë sa duhet për këtë çështje. Ndërsa, përfaqësuesit e Komisionit qeveritar kanë thënë se po punohet sipas mënyrës së paraparë.


Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur ka diskutuar në një takim publik, çështjen e personave të pagjetur.

Me këtë rast, është thënë se kjo çështje ende mbetet brengë për institucionet e vendit. Kryetari i këtij komisioni, Ismet Beqiri, tha se zbardhja e fatit të personave që nuk janë identifikuar dhe atyre që mungojnë, kërkon një angazhim më serioz.

“Padyshim, është një brengë e jona dhe si deputetë, si opinion, si qytetarë do të dëshironim të dinim se cilët janë hapat që janë duke u ndërmarrë dhe çka pritet në të ardhmen. Ka disa vjet që kjo çështje, posaçërisht ajo e identifikimit të mbetjeve mortore, po zhargitet”, tha Beqiri.

Në këtë takim, përfaqësuesi i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Haki Kasumi, kërkoi që Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësuesit e Qeverisë, në bashkëpunim me faktorët tjerë, t’i shtojnë përpjekjet për identifikimin dhe zbardhjen e fatit të personave që mungojnë.

“Veprimet tjera janë aq të vogla, aq të pakta, saqë unë nuk di kë mund ta kënaqin, ose kë mund ta pajtojnë me një qasje të tillë joserioze ndaj një problemi kaq serioz, kaq të dhimbshëm. Dhe, kjo do një qasje shumë serioze, organizim dhe qasje institucionale, profesionale, e jo qasje çfarë i kemi bërë, ose i është bërë nga organizatat dhe institucionet tona
”, u shpreh Kasumi.

Por, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për të Zhdukur, Kushtrim Gara, pohoi se punët janë duke vazhduar dhe, siç u shpreh ai, për këtë çështje është duke u punuar në mënyrë të paraparë.

“Komisioni po e vazhdon punën e tij si trup koordinues, me takime të rregullta, dhe kjo bëhet varësisht nga ngjarjet dhe zhvillimet e aktiviteteve”, tha Gara.

Sipas shifrave zyrtare, nga 1900 persona, të cilët konsiderohen të pagjetur, rreth 400 trupa gjenden aktualisht të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

Nga ana tjetër, Tara Formstom, antropologe nga EULEX-i, tha se në Institutin për mjekësi ligjore aktualisht janë rreth 250 pjesë trupore, me të cilat po punohet për identifikim.

“Hapi i ardhshëm i zyrës sonë do të jetë që të hapim çdo thes në kontejnerët tanë dhe në krahasim me data-bazën time, do të shohim se a do të mund të bëjmë diçka më shumë. Gjithashtu, që nga dhjetori i 2008-ës kam filluar t’i shikoj të gjitha mbetjet e djegura dhe kemi arritur disa suksese në disa raste”,
tha Formstom.

Ndërkaq, Luigj Ndou, nga Komisioni Ndërkombëtar për të Zhdukur, vlerësoi se qëllimi për gjetjen, zhvarrosjen dhe identifikimin e personave të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë, është shumë larg që të arrihet.

“Fatkeqësisht, qëllimi është shumë larg që të arrihet. Kjo e thënë përkrahet edhe nga indicet e mëdha dhe diskrepanca e matjes statistikore në lidhje me numrin e personave, të cilët fillimisht ishin raportuar të zhdukur, numrin e personave të zhdukur ende të paidentifikuar, numrin e mbetjeve mortore të paidentifikuara, numrin e profileve të ADN-së, të viktimave të papërputhura ende dhe numrin e madh të mostrave të gjakut, të mbledhura nga familjarët, të cilat, gjithashtu, nuk janë të përputhura ende”, tha Ndou.

Ndryshe, çështja e personave të pagjetur nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të Kosovës konsiderohet si një ndër çështjet prioritare.
XS
SM
MD
LG