Ndërlidhjet

Dialogu social i bllokuar


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina

Edhe pas më se katër vjet paralajmërimi për fillimin e dialogut social në Kosovë, kjo nuk po ndodh. Sindikalistët dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale fajësojnë njëra-tjetrën për bllokimin e fillimit të këtij dialogu.



Dialogu social, përmes të cilit do të kërkoheshin zgjidhjet për një numër të madh të problemeve, me të cilat ballafaqohen punëtorët në Kosovë, ndonëse është paralajmëruar më shumë se katër vjet më parë, deri më tash nuk ka ndodhur.

Kështu thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit sindikalë të punëtorëve. Por, ata shkëmbejnë akuza dhe kritika në drejtim të njëri-tjetrit për, siç thuhet, bllokimin e këtij dialogu dhe mosfunksionimin e Këshillit Ekonomiko-Social.

Xhafer Xhaferi, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se dialogu social nuk ka filluar për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me kriteret e përfaqësimit të subjekteve në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Pengesë kryesore, kohëve të fundit, është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përkundër një vendimi që e ka marrë Qeveria, në mënyrë që të përfaqësohen në Këshillin Ekonomiko-Social ato subjekte, ata partnerë që kanë anëtarësi dhe janë përfaqësues të vërtetë, në këtë rast të punëtorëve, Ministria nuk i ka marrë parasysh ato dhe nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë”.

“Kështu ka ardhur deri tek ajo që nxjerr edhe ndonjë subjekt tjetër, sindikal në këtë rast, ose të punëdhënësve, në mënyrë që të përfaqësohen dhe në këtë mënyrë ta relativizojë rolin e BSPK-së dhe Odës Ekonomike të Kosovës, si partner të deritashëm të ministrisë përkatëse”,
thotë nënkryetari i BSPK-së, Xhaferi.

Në anën tjetër, përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si partner social në kuadër të Këshillit Ekonomik—social, përveç BSPK-së dhe Odës Ekonomike të Kosovës, janë futur edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës.

Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se dialogu social nuk ka funksionuar tash e katër vjet dhe, sipas tij, me nismën e kësaj Ministrie janë bërë përpjekje që ky dialog të fillojë, ndwrsa akuzat e përfaqësuesve të BSPK-së i quan qesharake.

“Nëse dikush na akuzon neve se e kemi bllokuar dialogun social, të cilin ne vetë e kemi iniciuar që të fillojë punën, atëherë, të paktën, kjo është qesharake. Para së gjithash, mënyrat me të cilat ne e kemi vërtetuar se kush janë përfaqësuesit e atyre sindikatave dhe partnerët socialë, kanë qenë rreptësisht, sipas rregullave dhe ligjit”.

“Unë nuk e kuptoj se pse dikush nga këta partnerë socialë, për të cilët ne kemi vërtetuar se i përmbushin kushtet, dëshiron ta bllokojë këtë proces”,
thotë ministri Rashiq, duke shtuar se BSPK-ja dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë refuzuar pjesëmarrjen në Këshillin Ekonomiko-Social.

Por, qasjen e ministrit Rashiq e kundërshton sindikalisti Xhaferi:

“Ministria dëshiron që faktikisht të faktorizojë edhe subjekte të reja. Ajo shihet edhe nga fakti tjetër, sepse në momentin që është dashur që të shkojë në konferencën e fundit të ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës), ajo po ashtu si partnerë i ka nxjerrë këto subjekte, që, thjesht, nuk i plotësojnë kriteret themelore të jenë partnere të Qeverisë”.

Ndryshe, ministri Rashiq thotë se për të është i pakuptueshëm kundërshtimi i BSPK-së dhe i Odës Ekonomike lidhur me pjesëmarrjen e subjekteve tjera në Këshillin Ekonomik dhe Social, duke pasur parasysh normat, të cilat i ka përcaktuar edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës.

“Më duhet të them se është tejet me rëndësi që ne duhet të udhëhiqemi në bazë të normave ndërkombëtare. Vetë Konferenca e Organizatës Ndërkombëtare të Punës na ka porositur dhe sugjeruar që, për një dialog të mirë dhe kualitativ, në atë Këshill duhet të inkuadrohen më shumë partnerë. Ndoshta këto janë segmente, të cilat përfaqësuesit e BSPK-së nuk po i kuptojnë”, pohon ministri Rashiq dhe shton se për një dialog social duhet pasur më shumë partnerë dhe më shumë këndvështrime.

Sido që të jetë, ministri Rashiq theksoi se mungesa e një dialogu social është i dëmshëm në përgjithësi, ndërkaq zoti Xhaferi vlerësoi se dëmet dhe pasojat me të mëdha u shkaktohen punëtorëve.

Sipas tij, punëtorët do të jenë të detyruar që, për shkak të mungesës së këtij dialogu, të aplikojnë forma të trysnisë sindikale, në mënyrë që ta detyrojnë Qeverinë që t’i zgjidhë çështjet dhe problemet, të cilat janë grumbulluar me vjet.
XS
SM
MD
LG