Ndërlidhjet

Ku mblidhet TVSH-ja?


Vërejtjet dhe të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për progresin e bërë në Kosovë lidhur me të hyrat dhe me gjendjen ekonomike të saj, vlerësohen si reale nga përfaqësues organizatash dhe ekspertë ekonomie.


Përfaqësues të organizatave ekonomike dhe ekspertë vlerësojnë se Kosova duhet të krijojë mekanizma të brendshëm për mbledhjen e të hyrave për buxhetin e Kosovës.

Sipas tyre, buxheti i Kosovës duhet të mbushet brenda territorit të Kosovës, ndërsa dogana duhet të jetë vetëm lehtësuese e këtyre veprimeve.

Këto vlerësime të ekspertëve vijnë pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për progresin e bërë në Kosovë, në të cilin thuhet se ka rritje të të hyrave nga doganat, por për ekonominë e Kosovës nuk është e mirë që 65 për qind e të ardhurave nga taksat të mblidhen në kufi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se mbledhja e të hyrave në kufi tregon se edhe më tutje në Kosovë nuk janë krijuar mekanizma të brendshëm për mbledhjen e tatimeve dhe që çdo gjë duhet të bëhet në pikat kufitare.

“Ajo çka është thënë në mënyrë konkrete për doganat, plotësisht është e drejtë. Kosova kur e ka nënshkruar marrëveshjen me CEFTA-n, ideja ka qenë që të hiqen të gjitha taksat doganore për vendet e rajonit”.

“Kjo, realisht, do të nënkuptonte se duhet të krijohen mekanizma të brendshëm, të cilët do të mundësonin që buxheti i Kosovës të mos varet vetëm nga të hyrat në pikat doganore, por grumbullimi i taksave të bëhet brenda territorit të Kosovës”,
thotë Beqaj.

Ai e vlerëson pozitive mbledhjen e të hyrave, gjë që, sipas tij, dëshmon për rritjen e stabilitetit makroekonomik në Kosovë.

Mirëpo, fakti që 65 për qind e të hyrave mblidhen në kufi, sipas tij, tregon varshmërinë e ekonomisë së Kosovës nga aktivitetet tregtare.

Beqaj mendon se fuqizimi i administratës tatimore dhe inspektorateve brenda, si dhe liberalizimi i kalimeve kufitare, pa procedura, do t’i kenë efektet e veta.

“Procedurat që bëhen në kufi, nganjëherë janë proceduara tepër burokratike, procedura që e stimulojnë edhe korrupsionin, edhe format e ndryshme negative të shoqërisë dhe, njëkohësisht, krijojnë hapësirë për konkurrencë jolegale”.

“Gjithmonë këto barriera, të cilat paraqiten në pikat kufitare, janë edhe burim i nisjeve apo iniciativave për kontrabandime. Në këtë drejtim, krijimi i rregullave të mirëfillta, përforcimi i administratës tatimore dhe forcimi i aparatit shtetëror brenda territorit të Kosovës, janë forma që duhet të bëhen së shpejti”,
thekson ai.

Edhe eksperti për çështje ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Alban Zogaj, pohon se mbledhja e të hyrave vetëm prej një pike, vetëm nga doganat, shkakton problem në qëndrueshmërinë e buxhetit të Kosovës.

“Të hyrat duhet të mblidhen edhe në brendi të territorit dhe jo vetëm në dogana, sepse kjo po i shkakton probleme edhe biznesit. TVSH-ja ( Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) çdo herë mblidhet në dogana dhe kjo po e ngarkon biznesin në momentin e hyrjes së mallit në Kosovë”.

“TVSH-ja do të duhej të paguhej brenda territorit të Kosovës dhe në këtë formë biznesi do të lirohet nga një ngarkesë fillestare në biznesin e tyre”,
thotë ai.

Duke i vlerësuar reale vërejtjet që Komisionin Evropian i ka bërë për Kosovën në këtë fushë, Zogaj thekson se mbledhja e të hyrave në kufi po paraqet një problem edhe për investitorët.

“Kanë ardhur ankesa të shumta nga investitorët e huaj që ky proces i pagimit, sidomos i TVSH-së, në doganë për pajisjet e tyre që dëshirojnë t’i vendosin në territorin e Kosovës, po iu shkakton probleme të mëdha”.

“Nëse pajisjet kushtojnë 1 milion euro, ata duhet të paguajnë 150 mijë euro TVSH, në momentin që pajisjet hyjnë në territorin e Kosovës. Kjo shkakton pengesa të shumta që në fillim të biznesit të tyre”,
shpjegon Zogaj.

Ndryshe, brenda 10 vjetëve, Doganat e Kosovës thuhet se kanë kontribuuar në buxhetin e vendit me mbi 4 miliardë euro.

Ky institucion vlerësohet të jetë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: tatimin mbi vlerën e shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.
XS
SM
MD
LG