Ndërlidhjet

BE synon praninë e përhershme në veri


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Emërimi si koordinator i aktiviteteve të BE-së në veri i ambasadorit Majkëll Gjifoni, sipas zyrtarëve evropianë, është hapi i parë drejt vendosjes së pranisë së përhershme në këtë pjesë të vendit.



Bashkimi Evropian po ndërmerr hapat e parë për të vendosur një prani të përhershme në veri të Kosovës, mjedis ky i banuar me shumicë serbe, e në të cilin zyrtarët evropianë nuk janë të mirëseardhur.

Bashkimi Evropian, si veprim të parë, ka emëruar njeriun, i cili do t’i koordinojë aktivitetet e pranisë evropiane në pjesën veriore, në të cilën ende pushtetin e kontrollojnë strukturat paralele serbe, të financuara nga Beogradi.

Ambasadori italian, Majkëll Gjifoni, sipas zëdhënëses së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Julia Rojter, ka për detyrë të ofrojë lehtësim politik dhe të koordinojë aktivitetin e pranisë evropiane në veri të lumit Ibër.

“Ambasadori italian, Gjifoni, është ftuar nga Këshilli i Ministrave që të punojë si një diplomat, që mbështet qëllimet e BE-së në veri. Kjo, për shembull, përfshin lehtësimin e kontakteve me politikanët lokalë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, si dhe përfaqësues nga faktori ndërkombëtar”.

“Siç mund ta dini, ambasadorët e BE-së në Kosovë asistojnë në punën e BE-së në fushat që kërkojnë vëmendje të veçantë”,
shprehet Rojter, duke hedhur poshtë pohimet se Gjifoni është i dërguar i veçantë i BE-së për veriun e vendit.

“Ambasador Gjifoni do të koordinojë ngushtë me të gjitha palët, në veçanti me Përfaqësuesin Special të BE-së, aktivitetet që do të ndërmerren. Është me rëndësi të dihet se kjo, në asnjë formë, nuk ndikon në mandatin e Përfaqësuesit Special të BE-së”, thotë Julia Rojter.

Majkëll Gjifoni, që mbetet ambasador i Italisë në Kosovë, koordinimin e aktiviteteve të BE-së do ta bëjë nga Prishtina.

Por, shumë shpejt, sipas zyrtarëve evropianë, do të hapet Zyra e Bashkimit Evropian në veri të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha strukturat e BE-së.

Qëllimi është që të ngrihet prania e Bashkimit Evropian në veri të Kosovës. Ne duhet të jemi më shumë të pranishëm, duhet t’u japim informacion njerëzve në veri. EULEX-i do të fillojë me një zyrë në stacionin verior policor në Mitrovicë, e cila në të ardhmen mund të shndërrohet në zyrë më të madhe”, shpjegon zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi.

Zyra, që nga zyrtarët e BE-së po përshkruhet si shtëpi për familjen evropiane, do të jetë e vendosur në pjesën veriore të Mitrovicës, afër ndërtesës së Gjykatës së Qarkut.

Por, ndërsa kjo ‘shtëpi’ do të mbledhë trupat e BE-së, që vazhdojnë të jenë neutrale ndaj statusit të vendit, jashtë do lë Zyrën Civile Ndërkombëtare.

“Me sa kam kuptuar, kjo zyrë është projekt i BE-së. Kuptoj se Përfaqësuesi Special i BE-së, EULEX-i dhe Komisioni Evropian do të jenë atje. Siç e dini, ICO ka zyrën e vet në Mitrovicë (pjesën jugore) dhe ajo përfaqëson këtë rajon”, thotë zëdhënësi i ICO-së, Endi Megafi.

Serbët lokalë, vitin e kaluar, kur edhe u zbarkua në Kosovë, e patën pranuar me rezerva misionin evropian për sundimin e ligjit. Ai qe lejuar të vendosej në veri, vetëm pasi ishte dhënë drita jeshile nga Beogradi zyrtar.

Ndërkohë, për shumicën e serbëve lokalë në pjesën veriore të vendit është e papranueshme Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila mbikëqyr zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe mbështet pavarësinë e vendit.
XS
SM
MD
LG