Ndërlidhjet

Medvedev: Mbështesim Serbinë rreth Kosovës


Presidenti Dimitri Medvedev, Beograd 20 tetor 2009.
Presidenti Dimitri Medvedev, Beograd 20 tetor 2009.

"Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të mbështetet mbi ligjin ndërkombëtar, përfshi vendimet nga Kombet e Bashkuara, rezolutat e KS-së e në veçanti rezolutën 1244", tha presidenti i Rusisë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar presidenti rus Dimitri Medvedev përsëriti kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës gjatë vizitës një ditore që zhviloi në Serbi.

“Rusia do vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo mbështetje bazohet në ligjin ndërkombëtar”, tha Medvedev pas takimit me homologun serb Boris Tadiç.

Gjatë fjalimit para Parlamentit të Serbisë, Medvedevi iu kthye sërish çështjes së Kosovës.

"Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të mbështetet mbi ligjin ndërkombëtar, përfshi vendimet nga Kombet e Bashkuara, rezolutat e Këshillit të Sigurimit e në veçanti rezolutën 1244.”

Vladimir Putini, në kohën që ishte president i Rusisë, qe i pari që kishte bërë krahasimin mes Kosovës dhe atyre që ai i quajti "konflikte të ngrira" në Kaukaz. Presidenti aktual rus hodhi poshtë ngjashmëritë mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut.

"Ne kundërshtojmë në mënyrë kategorike heqjen e paraleleve të pasakta mes ngjarjeve në Ballkan dhe atyre në Kaukaz. Sa i përket Osetisë së Jugut pozicioni ynë është i qartë dhe përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresionit ushtarak”, tha Medvedev.

Serbia e ka dërguar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe llogarit në mbështetjen ruse gjatë seancave dëgjimore që do të mbahen në dhjetor.

Tadiçi theksoi pas takimit me homologun rus se “qetësisht presim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe jemi të gatshëm të fillojmë sërish bisedimet me shqiptarët e Kosovës me qëllim gjetjen e një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës”.

Shefi i Kremlinit në Beograd foli dhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Ne nuk mund dhe nuk kemi asnjë alergji ndaj anëtarëve të rinjë të Bashkimit Evropian, përfshi vendet nga Evropa Lindore. Ajo çfarë është e rëndësishme për Rusinë është se vendet e reja, anëtare të Bashkimit Evropian të zhvillojnë raporte të mira me Rusinë. Në këtë mënyrë anëtarësimi i tyre në BE nuk dëmton marrëdhëniet tona tradicionalisht miqësore me këto shtete, përkundrazi rrit mirëkuptimin e përbashkët”, tha Medvedev.

Çështjet ekonomike ishin në qendër të takimeve dhe marrëveshjeve me zyrtarët serbë. Në mesin e marrëveshjeve të nënshkruara është dhe ajo për ndërtimin e gazsjellësit të njohur si “Rryma e Jugut”. Moska pritet të ndërtojë edhe një depo nëntokësore gazi në Serbi me vlerë prej 25 milionë eurosh.

“Ne jemi të hapur për dialog me të gjitha vendet, përfshi dhe Serbinë, sa i përket ngritjes së një arkitekture të re të sigurisë energjitike”, tha Medvedev.
Vizita e Medvedevit po zhvillohet në 65 vjetorin e çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe sovjetike dhe partizanët jugosllavë. (i.b)
XS
SM
MD
LG