Ndërlidhjet

Irani i jep përgjigje propozimit të OKB-së


Presidenti Mahmud Ahmadinexhad
Presidenti Mahmud Ahmadinexhad

Mediat iraniane njoftuan se Irani ia ka prezantuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Vjenë përgjigjen e tij ndaj projekt marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore.

Agjencia ISNA ka cituar emisarin iranian në agjencinë, Ali Asgar Soltanie, të ketë thënë se “Irani ka kërkuar “plotësime teknike dhe ekonomike”.

Më herët, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, tha sot se Irani do ta mirëpresë marrëveshjen bërthamore të propozuar me Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Francën.

Ahmadinexhad gjithashtu tha se megjithëse Irani është i gatshëm të bashkëpunojë, “vendet e përfshira në marrëveshjen gjithashtu duhet t’i përmbushin premtimet e veta”.

Ai nuk tha nëse Irani përfundimisht do ta pranojë marrëveshjen, ashtu siç u hartua në Vjenë javën e kaluar, apo do të kërkojë ndryshime.

Ahmadinexhad i bëri këto komente në një deklaratë televizive në Mashad, në verilindje të vendit.

Marrëveshja, e propozuar nga Kombet e Bashkuara, parasheh që Irani ta dërgojë sasinë më të madhe të uraniumit me nivel të ulët pasurimi në Rusi dhe në Francë, për t’u procesuar më tej në karburant bërthamor.

Marrëveshja synon t’i zbusë drojet se Irani e pasuron uraniumin me qëllim që të prodhojë armë bërthamore.

Teherani i mohon këto pretendime.

(V.P.)
XS
SM
MD
LG