Ndërlidhjet

Mësimet nga “Muri i Berlinit”


Në një shkrim për gazetën "USA Today”, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Xhefri Gedmin, diskuton për institucionin që udhëheq ai dhe për rolin e medieve të lira në shoqëritë që jetojnë nën regjimet represive.




Fillimisht si gjimnazist, pastaj si mësues në një shkollë të lartë dhe më vonë si kandidat për doktoraturë, kam pasur rastin disa herë të udhëtoj prapa Perdes së Hekurt, dhjetë vjet para rënies së Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989.

Pa marrë parasysh se ku shkoja, një gjë qëndronte gjithmonë aty. Ishte kërkesa universale për informacion dhe lajme të pavarura e të besueshme. Secili që kam takuar, ndjente neveri për propagandën e kontrolluar nga shteti. Ishin të uritur për të vërtetën.

Ka mësime nga kjo për promovimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë sot.

Muri i Berlinit ishte bërë simbol i definimit të konfliktit të Luftës së Ftohtë. Pengesat prej betoni, telat me gjemba, roje e qenë sulmues gjendeshin në zemër të qytetit të Berlinit.

Por, ky monument tragjik i tiranisë – i cili u shpërbë 20 vjet më parë – ishte po ashtu një përkujtues i zymtë për ata që ishin të lirë në Perëndim mbi dhjetëra miliona të skllavëruar nga diktatura komuniste në të gjithë Lindjen. Litar shpëtimi për ta ishte ajo që ne në shoqëri të lira e quajmë: qasje në të vërtetën.

Periudha e viteve ’80 ishte ende një botë pa internet dhe pa telefona celularë. Partitë komuniste ishin të afta për të mbajtur kontrollin e rreptë të medieve. Në Rumani, madje edhe ata në makinat e shtypit duhej të regjistroheshin me policinë.

Gjermanët lindorë jetonin në një shtet shtypës, por ata kishin fatin e mirë të jetonin pranë Gjermanisë perëndimore. Si rrjedhojë, shumë nga ta kishin mundësi t’i merrnin televizionet e Gjermanisë perëndimore.

Gjeografia kishte bërë një shoqëri dynivelesh. Ata që jetonin në pjesën juglindore të vendit ishin shumë larg për t’i marrë sinjalet perëndimore. Ata ishin të ngërthyer në “luginën e errësirës”, siç ishte e njohur.

Në të vërtetë, unë rrallë takoja qytetarë të papërvojë në bllokun sovjetik. Pasioni për të vërtetën çoi në zgjuarsi. Në Bashkimin Sovjetik, kishte një shtyp të zhvilluar nën tokë.

Një anëtar i lëvizjes “Solidariteti” në Poloni, një herë më tha se si shtypi i tij ishte konfiskuar nga autoritetet. Për fat të mirë, ai ishte siguruar. Ju mund të blinit edhe sigurimin për gjëra të tilla në tregun e zi të Polonisë.

Radio Evropa e Lirë kreu pjesën e saj të punës, duke bërë që informacioni të rrjedhë vazhdimisht.

E nisur nga CIA në vitin 1950 dhe më vonë e themeluar dhe e hapur nga Kongresi Amerikan, redaksitë e Radios Evropa e Lirë dhe të stacionit simotër të saj, Radio Liberty, u krijuan që t’u ofrojnë njerëzve në vendet komuniste lajme dhe informacione të brendshme, të cilat u mohoheshin nga qeveria.

Fituesja e këtij viti e Çmimit Nobel për Letërsinë, Herta Mueller, është pyetur kohët e fundit nëse e ka dëgjuar Radion Evropa e Lirë derisa jetonte në Rumaninë komuniste. Përgjigjja e saj: “Disa herë në ditë dhe ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ishin idiotë”.

Vetë Radio Evropa e Lirë ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe më 1991. Ikonat e lirisë - sikur që ishte Vaclav Havel, një disident që u bë president i Çekosllovakisë së lirë më 1989, Leh Valensa, lideri i lëvizjes Solidariteti në Poloni - që të dy kanë thënë se janë mbështetur në Radion Evropa e Lirë për frymëzim intelektual dhe solidaritet moral nën regjimin komunist.

Informacionet e tilla të sakta dhe të besueshme janë si oksigjen për një shoqëri civile, kudo qoftë ajo. Ka pasur një përparim të madh në përmirësimin e qarkullimit të oksigjenit.

Perandoria sovjetike tashmë ka perënduar. Në mbarë botën, mesazhet me tekst, Twitter, Facebook dhe e-maili kanë hapur shoqëritë dhe u kanë dhënë pushtet qytetarëve më shumë se kurdoherë më parë.

Por, në të njejtën kohë, autoritarët e ditëve bashkëkohore nga Kina, Rusia e deri tek Irani, janë duke e shfrytëzuar vetë këtë teknologji për të bllokuar, penguar dhe shtrembëruar të vërtetën.

Një studim i publikuar më herët këtë vit nga një grup i të drejtave të njeriut, Fridom Haus (Freedom House), në bashkëpunim me Radion Evropa e Lirë dhe Radio Azinë e Lirë, ka gjetur se regjimet autoritare janë duke bashkëpunuar në mënyrë të pashembullt deri më tash, kur bëhet fjalë për artin dhe shkencën e ngufatjes së impulseve demokratike të qytetarëve të tyre.

Ka përgjigje edhe për këtë formë të re represioni; disa mund të gjenden edhe te mësimet nga Lufta e Ftohtë.

Së pari, thuajeni të vërtetën për pushtetin në kryeqendrat autoritare. Ata prej nesh, të cilët pohojnë se demokracia dhe të drejtat e njeriut duhet të kenë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, nuk është se s’jemi të ndërgjegjshëm për interesat tjera (siç është nafta për shembull). Komplimentimi i diktatorëve, megjithatë, tradhton vlerat tona dhe asnjëherë nuk shpaguhet.

Së dyti, përkrahni disidentët guximtarë, të cilët luftojnë dhe rrezikojnë jetët e tyre për lirinë. Ata janë liderët moralë të së sotmes. Ata ndonjëherë bëhen edhe liderët politikë të së nesërmes.

Dhe, në fund, mos harroni kurrë: media e lirë funksionon. Sa më shumë që trimërojmë informacionet e sinqerta dhe diskutimet e përgjegjshme, që të mund t’ua ofrojmë qytetarëve në shoqëritë jo të hapura, aq më mirë do të jetë.

Kjo ishte pjesa thelbësore e strategjisë që ndihmoi shembjen e Murit të Berlinit. Mund të ndihmojë edhe në shembjen e mureve të reja që ngrihen nga tiranët e së sotmes.
XS
SM
MD
LG